
Demokratët në Amerikë kanë arritur të fitojnë në disa gara kyçe, përfshirë Dhomën e Përfaqësuesve, si dhe në shtete që tradicionalisht kanë votuar për republikanët. Rezultati ka nxitur reagime të forta në të dy kampet politike, ndërsa republikanët përballen me pikëpyetje mbi arsyet e humbjes. Gazetarja dhe analistja Keida Kostreci, e cila jeton në Amerikë, u ndal te reagimet e demokratëve, që e konsiderojnë rezultatin një sinjal të rëndësishëm politik, si dhe te vështirësitë e republikanëve për të unifikuar qëndrimin pas humbjes.
“Reagimet e demokratëve kanë qenë entuziaste, ndërkohë që Partia Republikane po përpiqet të përcjellë një mesazh koherent pas kësaj humbjeje. Brenda radhëve të republikanëve ka pasur edhe qëndrime të ndryshme. Pritej që demokratët të fitonin Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa Senati kishte disa gara mjaft të ngushta. Por fakti që demokratët arritën të fitojnë edhe në shtete tradicionalisht republikane po shihet si një valë blu dhe si një shprehje e qartë pakënaqësie dhe refuzimi ndaj politikave dhe qëndrimeve të presidentit Donald Trump”,-u shpreh Kostreci në ”Report TV”.
Sipas analistes, reagimi i nënpresidentit JD Vance pas humbjes së republikanëve në zgjedhje është një zhvillim që meriton vëmendje. Vance fajësoi luftën në Iran për rezultatin negativ, një qëndrim që sipas Kostrecit, mund të sinjalizojë distancimin e tij nga presidenti Donald Trump dhe ambiciet për garën e ardhshme presidenciale.
“Diçka tjetër për t’u shënuar në momentin e fundit, më saktë gjatë orës së fundit, ishte reagimi i gjatë i nënpresidentit JD Vance në rrjetet sociale, ku ai fajësoi luftën në Iran për humbjen në këto zgjedhje. Kujtojmë se zoti Vance ka qenë kundër luftës në Iran që në fillim, megjithëse më pas u bë i dërguari i presidentit Donald Trump.
Një reagim i tillë, kaq shpejt pas zgjedhjeve, shihet si një distancim i vetë Vance nga Trump dhe ndoshta edhe si një përgatitje për fushatën e ardhshme presidenciale, pas dy vjetësh. Ai shihet si një nga kandidatët kryesorë të Partisë Republikane.
Janë lëvizje që sinjalizojnë diçka, sepse ishte pikërisht Vance ai që vuri theksin te një temë për të cilën ka pasur një qëndrim të ndryshëm nga presidenti Donald Trump. Pra, qëndrimi i tij ka qenë i kundërt me atë të Trump. Është ende herët, por edhe demokratët kanë filluar tashmë të flasin dhe të mendojnë për zgjedhjet presidenciale, sepse ajo është trofeu i madh në garën për pushtet”.
