Situata me zjarret, Ministria e Mbrojtjes: Në 24 orë u raportuan 29 vatra, gjashtë ende aktive
Ministria e Mbrojtjes ka publikuar të dhënat e fundit në lidhje me zjarret në vend.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë territorin e vendit janë raportuar 29 vatra zjarri, prej të cilave janë aktive vetëm gjashtë.
Ministria njofton se Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile po vijojnë punën në ato zona ku është kërkuar ndërhyrja e tyre për neutralizimin e flakëve.
Postimi i plotë:
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë territorin e vendit janë raportuar 29 vatra zjarri.
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e 23 vatrave.
Vijon puna për izolimin e plotë të flakëve në vendgrumbullimin e mbetjeve të Bashkisë Vlorë, nga forcat e pushtetit vendor dhe qëndror.
Vatrat e zjarrit në fshatin Malecaj dhe Torovicë të bashkisë Lezhë, sot vijojnë me intesitet të ulët dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara. Po ashtu është shmangur tërësisht rreziku për banesat nga vatra e zjarrit në malin e Shëngjinit, bashkia Lezhë, i cili pasditen e djeshme mori përmasa të menjëhershme për shkak të erës së fortë. Pas ndërhyrjes së forcave operacionale të bashkisë Lezhë, të mbështetura nga bashkia Tiranë dhe Forcat e Armatosura vatra është nën kontroll, por vijon puna nga forcat operacionale vendore dhe efektivë të FA.
Po ashtu po punohet për shuarjen e zjarrit në fshatin Peraj, bashkia Has i cili si pasojë e erës së fortë ka kaluar nga territori i bashkisë Tropojë si dhe në fshatin Rrjoll, të bashkisë Shkodër, zjarr i cili vijon me intesitet të ulët. Forcat e Armatosura, nën kooordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile po vijojnë punën në ato zona ku është kërkuar ndërhyrja e tyre.