Situatë alarmante në Turqi nga zjarret. Banorët e pesë lagjeve në Izmir kanë ikur nga shtëpitë prej zjarrit masiv
Turqia është përfshirë nga një valë zjarresh shkatërruese, që prej disa ditësh kanë përfshirë zona të gjera pyjore në disa rajone të vendit, duke shkaktuar dëme të mëdha në mjedis dhe duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve.
Sipas mediave vendase, erërat e fuqishme dhe temperaturat e larta po vështirësojnë përpjekjet për shuarjen e flakëve, ndërsa zjarret vijojnë të përhapen me shpejtësi. Mijëra hektarë pyje janë djegur, duke lënë pas shkatërrim të konsiderueshëm në zonat e prekura.
Një nga vatrat më të mëdha ndodhet në qytetin Izmir, ku situata është kritike. Pesë lagje janë evakuuar pasi flakët kanë hyrë në zona të banuara, duke rrezikuar banesat dhe jetën e qytetarëve. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të zjarrfikësve, helikopterëve dhe ekipeve të Shërbimit Pyjor, zjarri është vënë pjesërisht nën kontroll, por rreziku mbetet ende i lartë.
Angazhimi në terren është masiv:
-
1113 forca zjarrfikëse
-
122 automjete zjarrfikëse
-
74 cisterna me ujë
-
84 mjete të zhvendosjes së dheut
Erërat që arrijnë shpejtësi nga 70 deri në 117 km/h po e bëjnë thuajse të pamundur ndërhyrjen e plotë dhe kanë përhapur flakët në drejtim të lagjeve të tjera.
Autoritetet kanë vendosur shtimin e mjeteve ajrore dhe janë në gatishmëri të plotë për evakuime të mëtejshme, nëse situata përkeqësohet. Ndërkohë, qytetarët janë bërë thirrje të shmangin lëvizjet në zonat e rrezikut dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencës civile.
🔺 Hetimet janë në vijim për të përcaktuar shkakun e shpërthimit të zjarreve, teksa spekulohet si shkak potencial kombinimi i temperaturave ekstreme, thatësirës së zgjatur dhe faktorit njerëzor.


KOHA JONË SONDAZH

