Skema Kombëtare, Denaj: Fermerët mund të përfitojnë financim me normë interesi vetëm 2%
Në Kavajë është hapur një nga agroturizmat më të rinj në zonë, “Sacro e Profano”, një investim i kuzhinierit Xhovani Ziu, i cili pas shumë vitesh pune në Itali vendosi të rikthehet për të investuar në vendin e tij.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndau pamje nga ky destinacion turistik, duke e cilësuar si një shembull suksesi të ndërthurjes së traditës shqiptare me elegancën italiane. Sipas saj, “Sacro e Profano” ofron një ambient të kuruar deri në detaje dhe një kuzhinë të pasur me produkte të freskëta, që vijnë direkt nga fermerët lokalë.
Përmes bashkëpunimit me prodhuesit e zonës, ky agroturizëm është bërë pjesë e zinxhirit ushqimor Made in Albania, duke ofruar një eksperiencë unike gastronomike, të shoqëruar me mikpritje dhe pamje të mrekullueshme të natyrës përreth.
Xhovani Ziu theksoi se eksperienca e fituar në Itali ka ndihmuar në ngritjen e këtij biznesi. “Klientela jonë përbëhet kryesisht nga turistë të huaj, veçanërisht nordikë. Kjo na jep besim se në të ardhmen do të kemi rritje të ndjeshme të punës”, u shpreh ai.
Ministrja Denaj rikujtoi gjithashtu se përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, fermerët dhe sipërmarrësit mund të përfitojnë 50% grant, financim me normë interesi vetëm 2% dhe mbulim kolaterali deri në 70%, ndërsa për zonat malore mbështetja është edhe më e lartë falë Paketës së Maleve.
KOHA JONË SONDAZH

