SPAK godet 7 grupe kriminale, u sekuestruan 3 milionë euro
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të 4 procedimeve penale, ka evidentuar kryerjen e veprave penale të rënda nga 7 grupe të strukturuara kriminale me fuqi të konsiderueshme dhe me shtrirje gjeografike të aktivitetit të tyre kriminal në disa nga qytetet kryesore të vendit si Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen.
Sipas njoftimit të SPAK, në kuadër të procedimeve penale të mësipërme, SPAK, në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese holandeze, belge, franceze, gjermane, italiane, spanjolle dhe greke ka shtrirë hetimet edhe në këto shtete për anëtarët e dyshuar të këtyre grupeve kriminale të përfshirë në vepra penale të kryera në Shqipëri, si dhe në disa vende të tjera në Bashkimin Evropian.
SPAK ka nxjerrë 50 urdhërarresti nga të cilat janë ekzekutuar 14 në Shqipëri ndërsa 6 janë ekzekutuar jashtë, 2 në Itali, 1 në Gjermani, 1 në Spanjë e 2 në Belgjikë.
Gjatë hetimeve intensive të kryera është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Operacioni i Drejtuar nga SPAK dhe i dakordësuar me Europol më datë 17 maj 2024, zgjati për rreth 20 orë, ku u angazhuan afërsisht 30 hetues të BKH-së, forcat RENEA, Policia e Shtetit, si dhe Europol i cili caktoi një Oficer pranë SPAK për të mbështetur këtë Operacion. U kryen veprime hetimore në qytetet e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Shkodrës, Lezhës, Rrëshenit, Kurbinit, Fushë-Krujës dhe Krujës. Gjatë këtyre veprimeve hetimore u ushtruan kontrolle në rreth 50 ambiente banimi.
Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale pasuri me vlerë të përafërt mbi 4,5 milionë euro, ku përfshihen:
- 2.996.760 euro cash;
- Sasi të konsiderueshme floriri dhe bizhuteri të shtrenjta;
- Ora të markave të shtrenjta me një vlerë të përafërt prej 500.000 Euro;
- Armë zjarri;
- Targa të përshtatura automjetesh;
- Automjete luksoze (nga të cilat 5 të blinduara me vlerë mbi 500,000 Euro);
- Sisteme vrojtimi kamerash, tavolinë pokeri, etj.
- Njoftimi i plotë i SPAK: https://spak.gov.al/njoftim-per-shtyp-date-18-05-2024/