
Kryeministri Edi Rama ka ekspozuar këtë të premte fytyrat, moshën dhe inicialet e protestuesve të dhunshme gjatë këtyre ditëve të protestës. Në kohë reale, përballë Kryeministrisë, një student i Mjekësisë që po proteston, doli para mediave dhe përgënjeshtroi Ramën, pasi kryeministri i publikoi foton.
Studenti i Mjekësisë, Jon Sulejmeri ka treguar notat me 10, ndërsa ka kritikuar mënyrën se si kryeministri po i trajton të rinjtë që marrin pjesë në protestat antiqeveritare. Studenti i ka cilësuar deklaratat e Ramës si përpjekje për të diskredituar protestuesit, ndërsa ka kujtuar se kryeministri më herët i ka etiketuar të rinjtë edhe si “neokomunistë”.
Sulejmeri ka bërë të ditur gjithashtu se të martën e kaluar është shoqëruar në polici, ku ka qëndruar për shtatë orë e gjysmë. I pyetur nëse do të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj kryeministrit, studenti është shprehur skeptik për funksionimin e institucioneve, duke deklaruar se nuk dëshiron të humbasë kohë me denoncime që i konsideron të kota.
”Zoti kryeministër ka dalë sot dhe më ka akuzuar për prodhim dhe shitje narkotikësh. Shikojeni të gjithë. Jam student i Mjekësisë, e kam të shkruar dhe s’e di se çfarë legjendash me mbret shpik ky. Na ka akuzuar dhe na ka quajtur neokomunistë. Dua të tregoj dhe notat që kam marrë, 10.0. Dje tha treni. Por këto janë përpjekjet e fundit të diktatorit. Kam qenë të martën e kaluar në polici. Kam qëndruar 7 orë e gjysmë. S’e di nëse do ta denoncoj. S’kam kohë për denoncime të kota, janë institucione të kota. Te kush do ta denoncoj?!”, u shpreh studenti.

