Sulm terrorist në redaksinë e një reviste në Francë, 12 të vrarë (FOTO)

Dy persona të armatosur me kallashnikovë kanë hyrë në selinë e redaksisë së revistës satirike franceze ‘Charlie Hebdo” në qendër të Parisit ,duke shkaktuar një masakër. Prokuroria franceze flet për 12 të vdekur, por numri mund të rritet. Media franceze flasin për disa të plagosur, mes tyre 3 agjentë policie. Revista është e njohur për satirën e saj provokative dhe ironike. Revista ditët e fundit publikoi një karikaturë të liderit të IS Ebu Bekr el-Bagdadi.

Dy personat kanë arritur të largohen me një makinë pasi kanë kërcënuar drejtuesin e mjetit dhe e kanë detyruar të ikë nga mjeti. Policia ka ngritur postblloqe për arrestimin e autorëve. Ata kanë qenë pa maska por të veshur me të zeza. Revista Charli Hebdo shpesh ka qenë në vëmendje të ismalikëve për shkak të karikaturave të profetit Muhamet.

Ndërkohë e përditshmja franceze “ 20 Minutes” ka arritur të kontaktojë në telefon me një nga punonjësit e redaksisë të cilët kanë thënë se “është një masakër e vërtetë. Ka viktima”. Më pas linja ka rënë. Presidenti i Francez Francois Hollande ka shkuar në  redaksinë e rrevistës ku ndodhi atenati. “Franca është e shokuar. Revista është simbol i lirisë. Qeveria do të ketë një mbledhje emergjente, ndërsa 4 prej të plagosurve janë në gjëndje të rëndë”,- tha presidenti francez.

 Sipas mediave franceze, dy atentatorët e sulmit kanë arritur të largohen. Raportohet se së bashku më ta ka qenë një person i tretë që i ka ndihmuar. Ndërsa flitet dhe për një peng që është marrë nga atentatorët.  Policia franceze ka konfirmuar se në sulm kanë mbetur të vrarë drejtori i revistës, Stephan Charbonnier dhe tre karikaturistë e njohur me pseudonimet Cabu, Tignous dhe Georges Wolinski.

David Cameron: Akt terrorist i çmendur

Pas masakrës së ndodhur në Paris ndaj redaksisë së revistës satirike, Kryeministri Manuel Valls ka thënë se deri më sot Franca “nuk është përballur kurrë me një kërcënim kaq të lartë të lidhur me terrorizmin”. Kanë reaguar gjithashtu edhe Kryeministri britanik, i cili e cilësoi masakrën e sotme si veprim prej të sëmurësh. “Vrasjet në Paris janë revoltuese. Jemi përkrah popullit francez në luftën kundër terrorizmit dhe në mbrojtje të lirisë së shtypit”, tha David Cameron.  Ndërsa kryeministri italian, Matteo Renzi ka thënë se “horrori dhe lemeria pushtoi rrugët e Parisit. Shprehim mbështetjen tonë për Francois Hollande dhe Anne Hidalgo në këtë moment të tmerrshëm. Dhuna do të humbasë gjithmonë, përkundrejt lirisë dhe demokracisë”, ka thënë lideri italian.

Edhe ministri i Jashtëm italian, Paolo Gentiloni ka shprehur indinjatën e tij: “Është një akt terrorist i përmasave të çmendura. Qeveria italiane shpres solidaritetin me popullin dhe qeverinë franceze. Gjëja më e rëndë është pikërisht revolta ndaj një medieje me një zë të fuqishëm, ndaj dhe mund të konsiderohet si një akt terrorist për shkak të publikimeve të ditëve të fundit”. Raportohet se agresorët, gjatë kryerjes së masakrës kanë thirrur “Allahu Akbar” (Zoti është më i madhi), gjë që dëshmohet edhe nga imazhet e xhiruara nga gazetari Martin Boudot, të transmetuara në televizionet franceze.

Historia e Charlie Hebdo

Lajmi se është sulmuar redaksia e revistës satirike franceze “Charlie Hebdo” ka shokuar shumëkënd. Por shumëkush e dinte se ky nuk është sulmi i parë, pavarësisht se ky është më i rëndi. Në vitin 2006, shumë myslimanë u zemëruan pasi revista ripublikoi disa karikatura të Profetit Muhamed, të cilat ishin publikuar më parë në gazetën daneze Jyllands- Posten.

Zyrat e revistës u sulmuan në nëntor të vitit 2011, pasi ata publikuan një karikaturë të Muhamedit, me titullin “Charia Hebdo”. Një nga mesazhet e fundit të revistës në Twitter është një karikaturë e liderit të grupimit ISIS, Abu Bakr al- Baghdadi. Botuesi i saj ruhet me truproja policore. Korrespondenti i BBC në Paris thotë se revista e majtë ruan një traditë që daton në shekullin e 18-të, kur denoncohej Maria Antoneta në prag të Revolucionit Francez. Në shekullin e 18-të shënjestra ishte familja mbretërore. Tani janë politikanët, feja, bankierët, policia.

 

Satira është një armë për luftë. Tallja për ta është një “raison d’etre”. Revista kurrë nuk ka shitur shumë kopje. Megjithatë, karikaturat dhe titujt e tyre janë gjithmonë të dukshëm. Origjina e saj është në fakt në një tjetër publikim satirik, të quajtur Hara- Kiri. Në vitin 1970 erdhi edhe momenti i krijimit të saj. Dy ngjarje po dominonin lajmet në atë kohë: Një zjarr i tmerrshëm në një diskotekë, që vrau mbi 100 njerëz, dhe vdekja e ish- presidentit Charles de Gaulle (Sharl de Gol). Hara-Kiri u hap me një titull që tallte vdekjen e gjeneralit de Gaulle: “Kërcim tragjik në Colombey (shtëpia e de Gaulle)- një i vdekur”. Hara-Kiri u ndalua dhe pak më vonë gazetarët e saj dolën me javoren e re: Charlie Hebdo. Por emri nuk ishte një referencë për gjeneralin e vdekur, por për faktin se ata publikonin karikaturat e Charlie Brown nga SHBA.

SHKARKO APP