Sulmet në Paris: Ku i kishin marrë armët dhe kush i financonte terroristët?

Vëllezërit Said e Cherif Kouachi dhe Amedy Coulibaly posedonin një arsenal armësh me vlerë 2.5 milionë euro, ku përfshiheshin Kallashnikovë, raketa-hedhëse, granata dhe gaz lotsjellës.

Ku i gjetën ata këto armë dhe nga e kanë origjinën ato?

Kur policia franceze tërhoqi këmbëzën duke i dhënë fund jetës së tre terroristëve Amedy Coulibaly dhe vëllezërve Said dhe Cherif Kouachi, ky moment shënoi edhe fundin e tre ditëve tmerr në Francë.

Nëse qytetarët dhe bota u qetësuan kur mësuan se tre terroristët u ekzekutuan, për hetuesit lindën detyra të reja: të zbulonin të gjitha lidhjet e tyre me ekstremistët islamikë dhe origjinën e armëve.

Si i morën ata armët? Kush i ka financuar ata dhe sa e lehtë është të sigurosh një arsenal armësh të tilla në Europë dhe konkretisht në Francë?

Prokurori i përgjithshëm francez, Francois Mollins e përshkroi si jashtëzakonisht të pazakontë arsenalin e armëve.

Burrat kishin tre Kallashnikovë, pistoleta sovjetike Tokarev, një automatik Skorpion dhe raketë-hedhëse shumë moderne si dhe arme te tjera te sofistikuara.

“Këto janë armë të rënda. Kur flasim për armë të tilla si një raketë-hedhëse, nuk bëhet fjalë për një buqetë lulesh që mund ta blesh në çdo vend"-, tha një zyrtar i policisë franceze.

Burime të inteligjencës në Sarajevë thanë të shtunën për “The Telegraph” se Bosnja ishte burimi i plumbave 7.62x39mm, që u përdorën gjatë sulmeve ndaj revistat satirike “Charlie Hebdo” më 7 janar. Policia boshnjake ka thënë se është plotësisht në dispozicion të policisë franceze në rast ndihme.

Zëvendësministri i Mbrojtjes në Bosnjë tha se fishekët ishin prodhuar më 1986-ën nga “Igman Company”, një fabrikë në pronësi të shtetit në qytetin Konjic, në jug të Sarajevës. Ajo është një nga 5 prodhuesit më të mëdhenj në botë të municioneve. Ajo kompani furnizon mbi 30 vende të botës duke filluar nga Amerika deri në Lindjen e largët. Vjedhjet në këtë kompani kanë qenë problem i vazhdueshëm. Vitin e shkuar u vodhën 600 predha artilerie nga baza ushtarake dhe asnjëherë nuk u gjetën. Policia ende nuk ka një ide të qartë se si mund të kenë kaluar ato fishekë në Francë për të përfunduar në duart e tre terroristëve.

Lidhjet me Ballkanin?

Ekspertët ishin thuajse të sigurt që ato plumba e kishin origjinën nga Ballkani. Luftërat në Ballkan, të shkaktuara nga Serbia, e bënë këtë rajon një fuçi baruti, siç edhe quhet shpesh nga historia. Lidhjet me Lindjen për shkak të islamit por edhe fakti që është prodhuese e armëve e bëjnë Bosnjën një ndër vendet më të prekura nga trafiqet e armëve kryesisht me vendet lindore. Një ndër to ka qenë edhe Siria.

OKB-ja vlerëson se në Bosnjë ndodhen aktualisht 1.1 milion armë, që mbahen ligjërisht dhe jo ligjërisht. Rreth 750 mijë posedohen në mënyrë të paligjshme dhe kjo do të thotë se ka një armë për çdo pesë qytetarë. Më pak armë ndodhen në duart e forcave të armatosura, rreth 99.882 armë dhe 22.500 tonë municione.

Në Shqipëri viti 1997 solli anarki në vend dhe shumë depo armatimesh u plaçkitën duke armatosur popullsinë.

Vëllezrit Kouachi kanë përdorur raketa M80 Zolja, të cilat janë përdorur zakonisht gjatë konflikteve ballkanike.

Si arritën në Francë?

Ekspertët e policisë franceze deri tani dyshojnë se armët janë transportuar me anë të një kampioni që u nis nga Bosnja ose Serbia. Më pas janë tregtuar në Belgjikë.

Javën e kaluar policia belge konfirmoi se armët e përdorura nga terroristi Coulibaly kishte udhëtuar në Belgjikë dhe kishte blerë Kallashnikovë, automatikun Skorpion, pistoletat Tokarev dhe raketë-hedhëset.

Në vitin 2010 policia belge deklaronte se nuk ishte e vështirë të gjeje armë në Belgjikë. Për ta vërtetuar këtë një gazetar arriti ta sigurojë për gjashtë orë.Kete jave një tregtar i njohur i armëve në Belgjikë, Neetin Karasular, u dorëzua vetë në polici menjëherë sapo pa fytyrën e Coulibaly-së në televizion dhe pranoi se armët ia kishte shitur ai.

Financimi

Vëllezërit Kouachi punonin në një piceri si kamerier, ndërsa Coulibaly në një fabrikë “Coca Cola”.

Kur ata po pyeteshin nga policia gjatë rrethimit, ata thanë se burimi i të ardhurave për armët kishte qenë puna e tyre.

Por hetimet treguan të kundërtën: Coulibaly kishte marrë një kredi 6 mijë euro në dhjetor dhe në llogarinë e tij bankare ishin 33.714 mijë euro, ndërsa në muajin nëntor ai kishte marrë nga burime të panjohura rreth 30 mijë euro. Për më tepër ky person sapo kishte dalë nga burgu dhe mundësia e pasurimit në një kohë kaq të shkurtër hidhet poshtë. Kjo i ka bërë autoritetet franceze të besojnë se ishin financuar nga jashtë dhe ekstremistët islamikë mbetet opsioni më i besueshëm.

Shërbimet sekrete franceze dhe ato evropiane do të zbulojnë gjithçka në ditët në vazhdim, ndërkohë Franca dhe Europa kanë menduar të ndryshojnë modelin sigurisë në kontinentin e vjetër, duke nisur së pari me ligjin e armëve dhe hyrje-daljet e shtetasve të huaj në të, kryesisht nga Lindja dhe Afrika.(Express)

SHKARKO APP