Sulmi ndaj Kokëdhimës; nga PD apo në akord me një pjesë të PS?

Dje u bë e ditur se PD po mbledh firmat e 1/10 të deputetëve që të kërkojë heqjen e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima ose siç quhet realisht “supërdeputeti” i PS-së dhe më pas kalon në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka një precedent të gatshëm me rastin e Ilir Beqjes të cilit ia hoqi mandatin. Selia blu foli dje dhe paraqiti,sipas saj, dokumenta ligjore kundër Kokëdhimës. Procedura parlamentare pritet të fus në rendin e ditës për diskutim e votim këtë çështje, e cila në dukje është kundër Kokëdhimës, porse në thelb mbetet mposhtja e Edi Ramës, politikisht. Kjo bëhet kur në grupin e PS-së  ka filluar  “kazani” socialist të ziejë; fillimisht i vuri “zjarrin” Ben Blushi e tani po i hedh “benzinë” përditë e me shumë deputeti Tom Doshi. Natyrisht që Blushi e Doshi janë dy gjëra të ndryshme në PS. Blushi është ideolog i PS-së, njeri me shumë emër dhe deputet karizmatik, kurse Doshi deputet praktik e që ka disa deputetë pas vetes. E nuk ka pak në të vertetë! Kjo është politika shqiptare. Në momentin që filloi të hapet “kutia e Pandorës” në PS, ia behu mënjëherë PD me një kerkesë për heqjen e mandatit të deputetit, mikut me të ngushtë të Edi Ramës, pra Kokëdhimës.Do të jetë interesante se si do të votojnë një pjesë e deputetëve të majtë, të cilët flasin përditë nëpër kafene e “vesh me vesh” se “na i përlau të gjitha lekët Kokëdhima”, se “ Nuk kemi asnjë akses në Qeveri pasi duhet të takojmë Koçon për të zgjidhur punët tek Rama”,etj. Por që asnjë nuk flet hapur. Tani kanë votën në parlament për një kerkesë të PD-së ,e cila do të nxjerrë në pah se sa “trima” janë këto deputetë që flasin skutave e jo haptazi. Por Kokëdhima është një deputet potencial dhe jo i kollajshëm për “tu pjekur në furrë”, pasi më parë si biznesmen e botues si dhe njeri influent në politikë ka “pjekur” plot të tjerë në furra përveluese, ndonjëherë edhe pabesisht e padrejtësisht, e kësisoj nuk i ofrohet “zjarrit” kur e di se digjet.

Pyetja që shtrohet a është në përfeksion kjo goditje e mikut të Kryeministrit Rama në një aleancë të fshehtë mes PD e një pjese të PS? Mundet të mos ketë akord fjalësh e takimesh,porse “antenash” pa asnjë diskutim që mbetet një aleancë. Nuk e kanë hallin shumë tek Koço, por me shumë tek Kryeministri Rama. Edhe nëse i hiqet mandati i deputetit Kokëdhimës përsëri ai mik me Edi Ramën mbetet, porse dueli tashmë ka kaluar mes PD e Kryeministrit dhe nën rrogoz edhe mes një pjese të deputetëve socialist dhe kryetarit të PS. Natyrisht  duket se këtë punë do ta zgjidh Gjykata Kushtetuese për mandatin e deputetit e nuk do të jetë parlamenti që do të vendosë me shumicë, pasi shumica gjithsesi mbetet e dyshes Rama-Meta. Por në këtë përplasje, në dukje ligjore, në thelb mbetet politike kundër Edi Ramës e praktikave të tija kryeministrore, do të shikohet se sa janë të organizuar grupi socialist antiRama. Nëse e kanë seriozisht e jo sa për të marrë ndonjë “kockë” ata kanë rastin për të folur dhe treguar me votë se janë për një politikë e qeverisje tjetër,siç edhe thonë në media. Por akoma nuk dihet se si do të jetë reagimi i Kryeministrit. A do të bëjë kompromis me grupin “rebel” brenda PS që të shpëtoje veten dhe Kokëdhimën apo do të tregojë forcën e një Burri Shteti, që aspiron të bëhet,duke treguar forcën e ligjit dhe të mosnënshtrimit, kur mendon se ka të drejtë. Gjithnjë flasim nëse është i bindur se po qeveris mirë.

Ka edhe një problem në këtë rast; Kokëdhima a është një gur i rëndë në qafën e kryeministrit apo një gur i fortë kundër “kokave” antiRama në çdo rast?

Kjo mbetet të shikohet se si do të lëvizë Kryeministri , pasi nuk e ka të lehtë, realisht, përballjen në kushtet kur shkohet edhe drejt zgjedhjeve vendore, të cilat janë administrative, porse përherë kthehen në politike pas mbarimit të tyre

SHKARKO APP