Tahiri: Krimi s’ka ngjyra politike, të gjithë kundër tij

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri bëri një apel për gjithë aktorët shoqërorë e politikë, për të lënë akuzat dhe sulmet ndaj policisë, por të rreshtohen në një front kundër së keqesqë kërcënon të tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve.

Ne nuk pranojmë asnjë kompromis me asnjë lloj dhunë, asnjë shfaqje të kriminalitetit, asnjë formë pandëshkueshmërie. Por besojmë shumë fort se aftësia jonë, nga njëra anë e koordinimit dhe bashkëpunimit fare të ngushtë ndërmjet Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave, së bashku me kontributin e të gjitha institucioneve të tjera ligj zbatuese, dhe nga ana tjetër e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe çdo qytetari të rregullt e të ndershëm në këtë vend, është elementi themelor për të ndërtuar një Shqipëri të sigurtë, ku dhuna, paligjshmëria dhe krimi parandalohen e luftohen nga ne, të gjithë bashkë pa përjashtim”, tha Tahiri në një deklaratë për media nga Ministria e Brendshme.

Ministri tha se krimi nuk mund të ketë ngjyra politike, e nuk mund të merret nën mbrojtjes nga askush.

“Kush bën gabimin ta shohë krimin me preferencë apo ndasi, me të tyret apo tanët, të këtij apo atij, apo akoma më keq kush fut politikën në mes të betejës sonë të përbashkët, të institucioneve dhe qytetarëve, me krimin, nuk ka bërë gjë tjetër vetëm i ka dhënë mbrojtje, frymëmarrje e nxitje botës së dhunës e krimit, që ndër ne nuk mund e nuk duhet të gjejë asnjë çarje e as dallim”, nënvizoi kreu i Ministrisë së Brendshme.

Tahiri informoi se policia ka ndërmarrë një aksion të gjerë kombëtar duke  përforcuar masat e sigurisë që synojnë parandalimin dhe luftën kundër dhunës dhe kriminalitetit.

I gjithë efektivi i forcave speciale, të gjitha repartet, janë në gatishmëri të zgjatur, pa afat, me prezencë të shtuar në mjedise publike dhe akse rrugore, kontrolle të personave, mjediseve dhe mjeteve që sipas të dhënave paraprake apo analizës së riskut, përbëjnë potencial për kërcënim ndaj sigurisë”, shtoi Ministri.

Ai kërkoi mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e çdo qytetari, që mund të kontribuojë për sigurinë e përbashkët në këtë pikë.

Pjesë e deklaratës ishte dhe apeli drejtuar gjyqësorit.

Ajo që kemi kuptuar është se krimi riciklohet nga dënimet e vogla, prej të cilave përfitojnë ata që kërcënojnë shoqërinë nga dhuna dhe krimi. Do kërkojmë dënime maksimale për çdo vepër penale, veçanërisht ato që kërcënojnë më shumë shoqërinë, si armëmbajtja pa leje apo të tjera të ngjashme”, tha ministri.

 

SHKARKO APP