Tahiri në Klos, helikopteri i “Cougar” shpërndan pako me ushqime
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ishte në Klos të qarkut të Dibrës, një nga zonat më të prekura nga moti i acartë i ditëve të fundit. Tahiri pa nga afër ndarjen e ndihmave për familjet në nevojë në kushtet e të ftohtit polar.
“Po i gjendemi familjeve në nevojë me bazën minimale për ushqime dhe veshmbathje në mënyrë që gjithë ata që kanë probleme me kushtet e jetesës për shkak të motit të mos gjenden vetëm dhe të mos kenë probleme me shëndetin”, tha Tahiri.
Emergjencat Civile në bashkëpunim me Forcat e Armatosura kanë nisur shpërndarjen e ndihmave me helikopter në zonat e izoluara nga bora dhe ngricat.
Në përgjigje të kërkesave të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, helikopterët e Forcës Ajrore kanë kryer disa fluturime për shpërndarjen e ndihmave në zonat e izoluara.
Një helikopter “Cougar” i Forcës Ajrore ka shpërndarë pako me ndihma ushqimore dhe batanije për banorët e fshatrave Arrën dhe Kalis në Kukës.
Ndihmat e shpërndara për banorët e këtyre fshatrave të izoluar prej disa ditësh janë siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit.
Helikopterët e Forcës Ajrore po qëndrojnë në gatishmëri për t’iu përgjigjur çdo emergjence dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile për shpërndarjen e ndihmave për banorët e zonave të thella.
Gjithashtu, efektivët dhe mjetet e rënda të Forcave të Armatosura mbeten të angazhuara edhe në hapjen e rrugëve rurale, që janë ende të bllokuara nga bora.

