Tahiri: Qytetarët të zbatojnë rregullat e reja, përndryshe do përballen me sanksione

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të zbatojnë rregullate reja të qarkullimit rrugor, pasi në të kundërt do të përballen me sanksionet e reja të vendosura për shkeljet e këtyre rregullave. Nga aktiviteti i organizuar me rastin e nisjes së fushatës sensibilizuese për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, Tahiri tha se mungesa e informimit por edhe mungesa e kapaciteteve të institucioneve janë dy arsye për numrin e madh të viktimave nga aksidentet rrugore. Tahiri tha se sot hyn ka hyrë në fuqi edhe sanksioni i ri për shkeljen e semaforit.

“Të respektohen rregullat e qarkullimit rrugor. Fakti që kemi më shumë jetë të humbura nga aksidentet në vend, se nga ngjarjet kriminale, ka një sërë arsyesh. Mungesa e informimit është një prej tyre, si për këmbësorët dhe drejtuesit. Arsyeja tjetër është mungesa e kapaciteteve të institucioneve. Ne preferojmë të ecim në të dyja shinat. E para nëpërmjet rregullave dhe për moszbatimin e tyre përballja me sanksione më të forta. Ndaj kanë hyrë në fuqi edhe dënimet e reja për shkeljet e rregullave të qarkullimit. Sot hyn në fuqi sanksioni i ri për shkeljen e semaforit, me gjobë relativisht të lartë. Sanksioni i bën qytetarët të sensibilizohen për respektimin e rregullave. Kjo është veç njëra anë, pasi në radhë të parë është sensibilizimi edukata, në mënyrë që ti bëjmë rrugët më të sigurta”, ka deklaruar Ministri i Brendshëm.

SHKARKO APP