Takimi me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Kryemadhi: Do rivendosim të drejtën pas 25 prillit
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka pritur në një takim këtë të enjte, Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ku përmes një postimi në facebook, thotë se është një institucion me rëndësi të veçantë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve nga abuzivizmi i qeverive. Thirrja e Kryemadhit është që qytetarët të denoncojë çdo rast të shkeljeve të lirive të tij pranë këtij institucioni. ”25 prilli, dita kur paligjshmëria merr fund dhe qeveria do të punojë për të gjithë njësoj”,-shkruan kryetarja e LSI-së në facebook.
Postimi i plotë
U takova sot me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, një institucion me rëndësi tepër të veçantë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve nga abuzivizmi i qeverive. LSI është e angazhuar plotësisht, që të mbështesi punën e këtij institucioni në përmbushje të misionit të tij.
Është e nevojshme të rivendosim në vend zbatimin e ligjit kundrejt dëmeve shumë të mëdha, që veprimet e paligjshme të Rilindjes kanë shkaktuar ndaj punonjësve të larguar pa të drejtë nga puna, bizneseve të gjobitura pa të drejtë dhe çdo shtetasi shqiptar të trajtuar padrejtësisht, liritë e të cilit janë të mbrojtura me ligj.
Nxis çdo qytetar të denoncojë çdo rast të shkeljeve të lirive të tij pranë këtij institucioni. 25 prilli, dita kur paligjshmëria merr fund dhe qeveria do të punojë për të gjithë njësoj.