Taksa më të larta për përfituesit e krizës në BE

Për shkak të rritjes së madhe të çmimeve të energjisë dhe të benzinës në Evropë po rikthehet ideja e vjetër e tatimit mbi fitimin e tepërt.

Për shkak të rritjes së çmimit të karburanteve në Gjermani po diskutohet vendosja e një takse të posaçme për koncernet e naftës. Fjala është për një taksë mbi fitimet e tepërta që mund kenë bërë koncernet e ndryshme në kohë krize dhe lufte.

Tatimi mbi fitimin e tepërt konsiderohet si një instrument për të mbuluar nevojat financiare publike jashtëzakonisht të larta në kohë krize dhe lufte dhe është një taksë që vendoset mbi fitimet që tejkalojnë ‘fitimet normale’ dhe aplikohet vetëm një herë dhe jo në mënyrë të vazhdueshme. Për përllogaritjen e të ashtuquajturave fitime të tepërta kundrejt fitimeve normale merren si krahasim periudha e parakrizës apo kohët e paqes dhe përcaktohen fitimet që ishin të zakonshme në ato kohë.

Edhe pse mendimet e ekspertëve në lidhje me këto taksa janë të ndryshme institucionet e mëdha si Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) janë në favor të vendosjes së një tatimi mbi fitimin e tepërt.

Socialdemokratët dhe të Gjelbërit e mbështesin futjen e një tatimit mbi fitimin e tepërt në Gjermani, kurse liberalët e kundërshtojnë atë. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe lufta atje kanë çuar në rritjen dramatike të çmimeve të energjisë dhe nëse koncernet energjetike përfitojnë nga kriza duke nxjerrë fitime të tepërta duhet të diskutojmë për të ashtuquajturin tatim mbi fitimin e tepërt, tha politikania e Partisë së Gjelbër, Katharina Dröge.

Ideja e taksimit shtesë për përfituesit e krizave nuk është e re. Ajo është aplikuar në SHBA dhe Britaninë e Madhe gjatë Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore. Në atë kohë firmat e armatimeve i nënshtroheshin të ashtuquajturit “taksë mbi fitimin e tepërt” (excess profits tax).

Gjatë krizës së koronës u debatua përsëri për një taksë të tillë. Në Gjermani të Gjelbrit dhe Partia e Majtë kërkuan p.sh. taksa shtesë për kompanitë si Amazon, të cilat bënë fitime të mëdha gjatë pandemisë.

Taksa të posaçme në vendet e BE-së

Spanja ishte vendi i parë i BE-së që vendosi në tetor 2021 aplikimin e një takse të posaçme për kompanitë e energjisë. Me të ardhurat nga kjo taksë taksat për faturat e shërbimeve u ulën nga 5 për qind në 0,5 për qind. Në mars të këtij viti BE-ja paraqiti disa udhëzime lidhur me taksimin e fitimeve të tepërta të prodhuesve të energjisë elektrike.

Italia aplikon po ashtu një taksë të posaçme që prek vetëm sektorin e energjisë. Periudha e tatimit u kufizua nga tetori 2021 deri në mars 2022 dhe tatimi nuk vendoset mbi fitimet por mbi xhiron e kompanieve duke e bërë më të lehtë vjeljen dhe arkëtimin. Të ardhurat shtesë vlerësohet se do të jenë rreth katër miliardë euro.

Edhe Britania e Madhe dëshiron t’i lehtësojë qytetarët e saj nga rritja e fortë e kostove të energjisë elektrike. Ministri britanik i Financave Rishi Sunak prezantoi për këtë arsye në fund të majit  të ashtuquajturën “taksë të papritur” me të cilën pritet të mblidhen rreth 5.9 miliardë euro. Taksa parashikon që kompanitë e naftës dhe të gazit si BP dhe Shell të paguajnë përkohësisht 25 për qind taksë mbi fitimet e tyre shtesë.

Hungaria po aplikon që nga maji i këtij viti taksa të posaçme për bankat, kompanitë e sigurimeve, kompanitë e energjisë, të tregtisë, të telekomunikacionit, për industrinë farmaceutike dhe linjat ajrore. Me të ardhurat nga këto taksa, të cilat do të jenë në fuqi për një periudhë të kufizuar për dy vjet, do të mbahen të qëndrueshme çmimet  e gazit. Kritikët ankohen se taksat speciale prekin kryesisht kompanitë ndërkombëtare dhe jo vendase.

SHKARKO APP