Tatimet dhe FMN diskutojnë zbatimin e ”Paqes Fiskale”
Drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj zhvilloi sot një takim me ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), me fokus monitorimin dhe vlerësimin e ecurisë së zbatimit të “Paqes Fiskale” dhe ligjit për faljen e detyrimeve tatimore të papaguara. Në qendër të diskutimeve ishin gjithashtu katër masat kryesore të lidhura me Planin e Rritjes së BE-së, standardet TADAT dhe menaxhimi i borxhit në kuadër të POA 5. Palët theksuan rëndësinë e vijimit të reformave për modernizimin e administratës tatimore, forcimin e formalizimit të ekonomisë dhe përmbushjen e standardeve evropiane në procesin e integrimit. Takimet me përfaqësuesit e FMN-së pritet të vijojnë edhe në vijim, në funksion të monitorimit të progresit të reformave dhe zbatimit të masave që synojnë rritjen e transparencës, efikasitetit dhe disiplinës fiskale.
Ndërkohë, ligjet për “Paqen Fiskale” dhe faljen e detyrimeve tatimore, për të cilat është miratuar udhëzimi zbatues më 15 maj, parashikojnë një sërë lehtësish për tatimpaguesit, të strukturuara sipas periudhave dhe kategorive të detyrimeve. Sipas kuadrit ligjor, detyrimet tatimore të papaguara deri më 31 dhjetor 2014 fshihen plotësisht, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat, ndërsa për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nuk falet principali.
Për periudhën 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019 parashikohet një skemë lehtësimi me dy opsione: fshirje e 50% të detyrimit kryesor nëse pjesa e mbetur paguhet brenda afatit të përcaktuar (10-30 qershor 2026), ose fshirje e 25% të detyrimit nëse 75% e detyrimit shlyhet deri më 31 dhjetor 2026. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht. Për periudhën 2020-2024, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht, me kusht që tatimi kryesor të paguhet 100% brenda afateve të përcaktuara, nga 10 qershor deri më 31 dhjetor 2026.
Po ashtu, fshihen gjobat për mosdeklarim ose deklarim me vonesë të deklaratave që i përkasin periudhave deri në 31.12.2024, me kusht që deklaratat e padorëzuara të dorëzohen deri më 30 qershor 2026. Parashikohen gjithashtu fshirje të gjobave për dorëzim të vonuar të pasqyrave financiare dhe vendimit për destinimin e rezultatit, të llogaritura deri më 31 dhjetor 2024, si dhe fshirje të gjobave dhe interesave të krijuara nga ndryshimet e listëpagesave, si pasojë e akteve ligjore apo nënligjore me efekt prapaveprues ose vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Gjithashtu, fshihen gjobat administrative për periudhat deri më 31 dhjetor 2024.
Përjashtohen nga këto lehtësi subjektet e dënuara me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale tatimore ose doganore, si dhe ato në proces hetimi apo gjykimi për këto vepra, gjatë periudhës së zbatimit të ligjit. Administrata Tatimore ka ftuar tatimpaguesit të verifikojnë detyrimet në sistemin “e-Filing” dhe të respektojnë afatet për të përfituar nga masat lehtësuese të parashikuara në “Paqen Fiskale”.
KOHA JONË SONDAZH

