Taulant Balla: Arsimi profesional shtyllë e turizmit, 2026-a drejt rekordit historik të vizitorëve
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Taulant Balla, së bashku me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, zhvilluan sot një vizitë në Golem, ku u ndalën në shkollën profesionale “Charles Telford Erickson”. Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi rolin kyç të arsimit profesional në zhvillimin e turizmit dhe përgatitjen e të rinjve për tregun e punës, duke vënë në dukje edhe ndikimin e këtij sektori në ekonomi.
“Nga kjo shkollë dalin profesionistët e duhur për ekonominë tonë turistike. Sot kemi 12 milionë turistë dhe 1,5 miliardë investime të huaja në vit. E kthyem turizmin në motorin kryesor të ekonomisë së vendit”, tha Balla. Po ashtu Balla u ndal edhe tek nevoja për rritjen e cilësisë dhe standardeve në sektorin e turizmit, duke theksuar se zhvillimi duhet të jetë i qëndrueshëm dhe konkurrues në rajon.
“Po punojmë tani të rrisim standardin dhe cilësinë, për ta bërë këtë trend të viteve të fundit të qëndrueshëm. Ne jemi sot konkurrues në turizmin rajonal”, tha ai. Duke folur për sezonin e ri turistik, Balla u shpreh optimist për pritshmëritë e këtij viti dhe ecurinë e rezervimeve, sidomos në zonën e Golemit. “Jemi para një sezoni të ri turistik, i cili këtu në Golem pothuajse ka nisur në 15 prill, maksimumi në 1 maj fillojnë hotelet të jenë të mbushura. Viti 2026 pritet të jetë një tjetër rekord historik sa i përket turistëve që vijë në Shqipëri”, theksoi Balla.
Në fokus të fjalës së tij ishte edhe bashkëpunimi mes shkollave profesionale dhe bizneseve, si një model që duhet të shtrihet më gjerë në të gjithë vendin. “Ajo që ka risi kjo shkollë është partneriteti shkollë-biznes dhe ne duam ta shtrijmë në gjithë vendin. Bizneset kanë një detyrë që duhet ta kryejnë, është t’u rrisin pagat”, përfundoi Balla.
KOHA JONË SONDAZH

