Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, deklaroi sot se dorëheqja e kryeministrit Edi Rama nuk do të ndodhë kurrë.
Më tej, Balla u shpreh se studentët në Shqipëri duhet të marrin shembull nga studentët serbë dhe të përballen me PS-në përmes votës.
“Kryeministri Rama ka qenë shumë i qartë: dialog me studentët. Ka një propozim për dialog, sepse studentët kanë çështje për t’u adresuar, edhe pse jemi ndër të paktat vende që kemi një trajtim të veçantë për studentët ekselentë. Studentët nga familjet në nevojë nuk paguajnë asnjë taksë apo tarifë dhe marrin 100 euro nga shteti.
Dialogu nuk mund të zhvillohet kurrsesi me ata që ushtrojnë dhunë. Në ligjin për tubimet parashikohen një sërë masash për ata që dhunojnë. Dorëheqja e Ramës nuk ka për të ndodhur kurrë. Dorëheqje nuk ka. Dialog, pa dyshim, por përjashtohet seksioni i dhunës së PD-së. Dialog po. Nëse duan të dërgojnë paraprakisht listën e çështjeve, le ta dërgojnë.
Studentët të marrin shembull nga studentët në Serbi. Kishte një protestë që zgjati për tre vite me radhë dhe, në fund, u konkretizua me votë. Shkuan në zgjedhje. Vota është ajo që përcakton dhe, në demokraci, harrojeni se mund të ketë ndryshim pushteti pa votë”, u shpreh Balla në një prononcim për mediat paraditen e sotme.
