Të pabindurit në tregje, nuk respektohet distanca mes blerësve dhe as masat mbrojtëse

8 orët e lirisë për t’u furnizuar me ushqime shkaktojnë grumbullime të mëdha të qytetarëve në tregjet informale në kryeqytet. Edhe pse policia dhe ushtria kërkon respektimin e rregullave, blerësit thyejnë rregullat pa masa mbrojtëse dhe të shoqëruar nga familjarët e tyre.

Kufizimet e orareve për të dalë nga shtëpia nuk ka sjëllë normalizim të situatës në kryeqytet. Në orët e para të paradites qytetarët kanë marshur drejt tregjeve për t’u furnizuar me fruta dhe perime.

Disa prej tyre përdorin masa mbrojtëse, ndërsa disa të tjerë jo, duke e vendosur në këtë mënyren prioritet ushqyerjen para shëndetit.

Pavarësisht urdhrit që të mos dalin në rrugë dy persona së bashku, ajo që vihet re në tregun e Kombinatit është se qytetarët dalin të shoqëruar nga familjarët e tyre.

“Po marrim ca fruta-perime. Frika është por të marrim këto dhe do të ikim”.

Gjithashtu të shumtë janë edhe të moshuarit që shfrytëzojnë lirinë e tyre kohore për të qëndruar në natyrë në stola, apo thjesht për të shëtitur.

Edhe pse kryeqyteti është një ndër zonat më të prekura nga koronavirusi, ka nga ato qytetarët që mendojnë se me raki dhe hudhra mund të mbrohen nga ky virus vdekjeprurës.

“I bëj hyzmet vetes, pi një gotë raki, hudhra me gjizë”.

As prania e policisë dhe e ushtrisë nuk i ndalon kryeqytetasit të shfrytëzojnë çdo minutë të fashës së orarit të lejuar nga ana e qeverisë.

SHKARKO APP