Teatri Kombëtar Eksperimental më i miri në vend për numër spektatorësh, shfaqjesh dhe performancë
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ka mbyllur vitin që lamë pas me më shumë shfaqje dhe spektatorë. Statistikat e kulturës, tregojnë që Teatri Eksperimental është nga institucionet e tjera me më shumë shfaqje dhe publik. INSTAT bën me dije se të dhënat e statistikave sigurohen nga Ministria e Kulturës dhe janë marrë në shqyrtim institucionet e artit në vend, por nuk mungojnë dhe të dhënat për parqe arkeologjike, muzetë, kalatë etj. Sa i takon institucioneve të artit sipas INSTAT numri i shfaqjeve kulturore në tremujorin e katërt të vitit 2018 është 346, duke shënuar një rritje me 3,3 përqind, në krahasim me tremujorin e katërt të 2017. Sipas të dhënave nga INSTAT në vitin 2018, numri i shfaqjeve/ekspozitave është 1.011, duke pasur një rritje me 21,7 përqind, në krahasim me 2017. Referuar të dhënave në tremujorin e katërt 2018 numri i spektatorëve është 69.565, duke pësuar ulje me 31,6 përqind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por numri i spektatorëve në vitin 2018 është 212.380, duke pasur ulje prej 2,0 përqind, krahasuar me 2017. Sipas INSTAT pjesëmarrja mesatare në tremujorin e katërt 2018 është 201 spektatorë/vizitorë për shfaqje dhe ka pësuar ulje me 33,8 përqind, krahasuar me tremujorin e katërt 2017. Për vitin 2018 pjesëmarrja mesatare ka pësuar një ulje me 19,4 përqind, krahasuar me vitin e mëparshëm. Në tremujorin e katërt 2018, sipas INSTAT Teatri Kombëtar Eksperimental është institucioni që ka realizuar numrin më të lartë të shfaqjeve, me 173 të tilla, duke shënuar rritje prej 31,1 përqind, krahasuar me tremujorin e katërt 2017. Galeria Kombëtare e Arteve ka pasur numrin më të vogël të ekspozitave, me vetëm një të tillë, për tremujorin e katërt 2018, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur kishte 7 ekspozita.
Në vitin 2018, Teatri Kombëtar Eksperimental sipas INSTAT është institucioni që ka realizuar numrin më të lartë të shfaqjeve kulturore, me 457 shfaqje, duke pasur rritje prej 42,8 përqind, krahasuar me periudhën e mëparshme. Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë renditet e dyta për numrin më të lartë të shfaqjeve/ekspozitave, me 243 të tilla të realizuara për vitin 2018, duke pasur një rritje prej 29,9 përqind, krahasuar me vitin 2017. Në tremujorin e katërt 2018, TKOBAP ka pasur 24.873 spektatorë/vizitorë, duke shënuar një rënie prej 11,2 përqind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritjen më të lartë në përqindje për numrin e vizitorëve/spektatorëve, në tremujorin e katërt 2018 e ka shënuar Teatri Kombëtar Eksperimental me 14,4 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në vitin 2018, Teatri Kombëtar Eksperimental ka pasur 65.989 spektatorëve/vizitorëve duke shënuar rritje prej 51,5 përqind krahasuar me vitin 2017.
Sezoni artistik në teatër
Sezoni artistik në Teatrin Eksperimental po vijon me një tjetër shfaqje teatrore të suksesshme. “Mbretëresha e bukurisë nga Leenane” shkruar nga autori Martin McDonagh përkthyer nga Adriana Tolka vjen në skenë me regji të Kiço Londos. Vepra shënoi sukses në teatër dhe do të rikthehet sërish në skenë këtë javë për të përcjellë emocione te publiku. Në qendër të veprës janë marrëdhëniet e komplikuara nënë e bijë dhe rolet në vepër interpretohen nga aktorët Laura Nezha, Ermira Gjata, Genci Fuga, Engjëll Hoxha. Kjo komedi e zezë shkruar nga Martin McDonagh, u ngjit në skenë për herë të parë nga kompania e Druid Theatre në Galluej, Irlandë, më 1 shkurt 1996. Ajo gjithashtu shijoi suksesin e shfaqjeve në Uest End të Londrës, Broduej dhe Of-Broduej. Vepra, e vendosur në malet e Konemarës në kontenë Galluej të Irlandës, rrëfen historinë me nota të errëta komike të Morin Folanit, një grua e zakonshme dhe e vetmuar në të dyzetat, dhe të nënës së saj manipuluese Meg. Ndërhyrja e Megit në mundësinë e parë dhe ndoshta të fundit të së bijës për një lidhje dashurie vë në lëvizje një tren me ngjarje sa komike, aq tmerruese, të cilat çojnë në fundin e pashmangshëm tragjik të pjesës. Ndërkohë që po vijon të shfaqet me sukses kjo shfaqje në skenë, po përgatitet premiera “Antigona” e autorit francez Jean Anouilh, që po realizohet nga regjisorja franceze Andre Brusque. Më pas do të jetë vepra “Jul Çezari” ne regji të kroatit Ivica Buljan për të vijuar me veprën e Oscar Wilde “Salome” me regji të italianit Carlo Sciaccaluga. Gjithashtu do të jenë dhe dy premiera për fëmijë në fund të muajit mars.