Teatri Kombëtar mbyll sezonin artistik, 95 shfaqje dhe mbi 20 mijë bileta të shitura
Teatri Kombëtar ka përmbyllur sezonin artistik 2025-2026 me një bilanc pozitiv, duke regjistruar dhjetëra shfaqje dhe një interes të konsiderueshëm nga publiku.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se nga shtatori 2025 deri në maj 2026, në skenën e Teatrit Kombëtar u zhvilluan 95 shfaqje, duke sjellë një repertor të larmishëm me vepra klasike, bashkëkohore dhe produksione që trajtuan tema sociale e njerëzore.
Interesi i spektatorëve u reflektua edhe në shifrat e sezonit. Sipas të dhënave të bëra publike nga ministri Gonxhja, gjatë kësaj periudhe u shitën më shumë se 20 mijë bileta, ndërsa të ardhurat nga shitja e tyre kaluan 10 milionë lekë.
Gonxhja vlerësoi punën e të gjithë stafit që kontribuoi në realizimin e shfaqjeve, nga aktorët dhe regjisorët te skenografët, kostumografët, dramaturgët, ndriçuesit dhe teknikët.
Bilanci i sezonit, sipas tij, nuk përmblidhet vetëm në numrin e shfaqjeve apo të ardhurat e arkëtuara, por edhe në aktivitetin artistik dhe marrëdhënien e krijuar mes skenës dhe publikut.
Me dhjetëra produksione dhe mijëra spektatorë, Teatri Kombëtar e mbylli kështu sezonin duke vijuar të mbetet një nga hapësirat kryesore të jetës kulturore dhe artistike në vend.
KOHA JONË SONDAZH

