Tenton t’i vrasë vëllanë, vrasësit të dhëndrrit, arrestohet dibrani 35-vjeçar
Policia e Dibrës ka arrestuar Arjan Skënderin, 35 vjeçarin e lindur dhe banues në Kllobçisht të Maqellarës në Dibër, i cili ka tentuar të vrasë vëllanë e vrasësit të dhëndrrit të tij.
Por, plumbi nuk e ka prekur personin në fjalë. Skënderi u arrestua për veprën penale të “Vrasjes me dashje”, mbetur në tentative.
Sipas Policisë, “arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin A. B, 43 vjeç, lindur e banues në Okshatinë-Shupenzë-Dibër.
Më datën 04.01.2017, rreth orës 10:30, në vendin e quajtur varrezat e fshatit Kllobçisht, konkretisht në rrugën automobilistike të këtij fshati, shtetasi Arjan Skënderi sapo ka konstatuar shtetasin A. B, i cili ka qenë duke drejtuar mjetin Opel Corsa, është afruar tek makina e tij dhe ka qëlluar një herë me armë zjarri mbi xhamin e pasëm, xham i cili është thyer plotësisht.
Shtetasi A. B. nuk është lënduar nga e shtëna me armë zjarri. Në përfundim të veprimeve të para hetimore rezultoi se motivi i ngjarjes ka qenë se shtetasi i arrestuar nuk ka dashur që shtetasi A.B, të vinte në këtë fshat , pasi në vitin 2007, vellai i shtetasit A. B, i quajtur A. B, ka vrarë me armë zjarri shtetasin J. M. (dhëndri i Arjan Skënderit).
Grupi hetimor ka kryer veprimet në vendin e ngjarjes por nuk u arrit të gjendet gezhoja për shkak edhe të motit të keq me dëborë , por dyshohet se pistoleta mund të ketë qenë me mulli.
Vijonë veprimet për gjetjen e gëzhojës dhe të armës së zjarrit, si dhe për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër për veprime të mëtejshme.




