Tërhiqet Alban Bushi: S’kemi asnjë problem me De Biasin

 

Rinovimi i kontratës për trajnerin e Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ka hapur një debat të madh. Teksa në media u raportua për një përçarje mes italianit me pasaportë shqiptare dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, sipas menaxherit të Kombëtares, Alban Bushi “debati ishte i stisur”.

Kështu, i ftuar te “Procesi Sportiv”, Bushi ka thënë se një deklaratë e tij është keqinterpretuar, ndërsa në vazhdimësi ka drejtuar gishtin e fajtorit te mediat, të cilat sipas tij krijuan zhurmë të panevojshme.

“Unë kam bërë një deklaratë ku kam thënë që falënderoj tifozët dhe kreun e FSHF­së, por nuk kam falënderuar stafin teknik, pasi unë bëj pjesë te stafi dhe nuk më është dukur e udhës ta bëj një gjë të tillë. Tani është marrë kjo pjesë e deklaratës dhe është krijuar një zhurmë e madhe. Dua t’ju kujtoj që në fund të sezonit të kaluar, kur të gjithë ishin kundër rinovimit me De Biasi­n, ne i kemi dhënë edhe një mundësi. Të gjithë kanë dhënë kontributin e tyre që ekipi Kombëtar të kualifikohet, prandaj ky debat është i stisur. Nuk ka përçarje në Kombëtare, përkundrazi jemi të bashkuar”, është shprehur menaxheri i kombëtares.

Një tjetër pikë që u diskutua ka qenë edhe paga që kërkon De Biasi për rinovimin. Shifrat që janë diskutuar në media janë hedhur poshtë nga Bushi.

“Më thoni, kush tha që De Biasi do miliona? Mediat, ju i nxorët shifrat milionëshe”, ka vazhduar ish-lojtari.

Bushi ka theksuar se kontrata me De Biasi­n mbyllet pas Europianit, pasi specifikohet qartë se në rast kualifikimi ajo vazhdohet deri në përfundim të kompeticionit. 

SHKARKO APP