Tërmet 8.7 ballë në Kamchatka, alarm tsunami në dy kontinente – rrezik për brigjet nga Azia në Amerikë
Një tërmet me magnitudë 8.8, një ndër më të fuqishmit ndonjëherë, goditi të mërkurën gadishullin Kamçatka në lindjen e largët të Rusisë, duke shkaktuar një cunam deri në katër metra të lartë, dëmtime në ndërtesa dhe duke nxitur paralajmërime dhe evakuime në të gjithë Oqeanin Paqësor, raportoi Reuters.
Gjatë orëve të fundit, disa shtete, përfshirë SHBA-në dhe Japoninë, kanë lëshuar paralajmërime për cunam dhe urdhra për evakuim.
Në Kamçatka, disa persona janë lënduar, ndërsa në një pjesë të madhe të bregdetit lindor të Japonisë – i cili ishte goditur rëndë në tërmetin dhe cunamin katastrofik të vitit 2011 – është urdhëruar evakuimi i popullatës.
“Tërmeti i sotëm ishte shumë serioz dhe më i fuqishmi në dhjetë vitet e fundit”, tha guvernatori i Kamçatkës në një postim në Telegram.
Sipas ministrit rajonal për emergjenca, Sergei Lebedev, pas tërmetit është regjistruar një cunam me lartësi nga 3 deri në 4 metra.
“Të gjithë duhet të largohen menjëherë nga bregdeti”, theksoi ai në një video të shpërndarë në rrjetet sociale.
Sipas Degës Lokale të Institutit Gjeofizik të Akademisë së Shkencave të Rusisë, ky ishte tërmeti më i fuqishëm që nga viti 1952 në atë zonë. Ata e cilësuan tërmetin si një “ngjarje unike” në deklaratën e publikuar në Telegram.
Epiqendra ndodhej pranë zonës që u godit nga një tjetër tërmet më 20 korrik.
Shkencëtarët deklaruan se situata është “nën kontroll”, por paralajmëruan për pasgoditje që mund të zgjasin deri në një muaj dhe këshilluan qytetarët të shmangin zonat bregdetare për arsye sigurie.
Situata sipas vendeve të prekura:
Rusia – Vala cunami me lartësi deri në 4 metra ka goditur qytetin Severo-Kurilsk. Evakuime në zhvillim në Gadishullin Kamchatka dhe Ishujt Kurile.
Japonia – Paralajmërim për valë deri në 3 metra. Qeveria ka urdhëruar evakuime masive në rajonet veriore dhe lindore.
Shtetet e Bashkuara (Hawaii & Alaska) – Pritet mbërritja e valëve gjatë mbrëmjes, me autoritetet që u kërkojnë banorëve të largohen menjëherë nga zonat bregdetare.
Australia lindore – Paralajmërime për rryma të fuqishme dhe përmbytje të mundshme në disa zona të bregdetit lindor.
Zelanda e Re – Nën monitorim të vazhdueshëm, me theks të veçantë në rajonet lindore dhe ishujt e vegjël.
Ishujt e Paqësorit – Guam, Samoa, American Samoa, Mikronezia në gjendje alarmi, ndërkohë që vala lëviz me shpejtësi drejt tyre.
Amerika Latine – Kili, Peruja, Meksika dhe shtete të tjera të Amerikës së Jugut janë në gatishmëri, me valët që pritet të prekin brigjet në orët në vijim.
Autoritetet ndërkombëtare për menaxhimin e katastrofave dhe qendrat sizmologjike janë në gatishmëri të plotë. Qytetarëve që jetojnë pranë bregdetit u kërkohet të largohen menjëherë nga zona të ulëta, të ndjekin vetëm burime zyrtare informacioni dhe të shmangin panikun.
Situata është në zhvillim dhe priten përditësime orë pas ore.
KOHA JONË SONDAZH

