Terroristët s’dinin redaksinë, pyetën një kalimtare

Prej orës 11:30 të paradites kryeqyteti francez, Parisi, vazhdon të jetë në gjendje shoku pas sulmit terrorist në revistën satrike “Charlie Hebdo”.

Gazetari i radio “Francë Internacional”, Artan Kutra, në një lidhje telefonike për “Ora News” teksa bëri një panoramë të sulmit që la pas 12 viktima dhe dhjetra të tjerë të plagosur dha edhe një detaj interesant, agresorët nuk dinin hyrjen e redaksisë që sulmuan.

Kështu të paktën ka deklaruar një dëshmitare, e cila pretendon se është pyetur nga dy sulmuesit se ku gjendet hyrja e redaksisë, përpara se mbi stafin e saj të lëshonin plumbat.

“Kanë qenë dy persona të armatosur me kapuçë në kokë. Kanë hyrë në rrugicën ku gjendej revista. Kanë pyetur njerëzit aty rrotull ku gjendej redaksia dhe kanë hapur zjarr pa asnjë lloj paralajmërimi. Një dëshmirare tha se dy njerëz të mbuluar dhe me kapuçë në kokë e kanë pyetur se ku është redaksia.

Dinin vendin, por jo hyrjen kryesore të saj sepse në të njëjtën ndërtesë ka shumë institucione. Kanë hyrë menjëherë brenda dhe kanë hapur zjarr, të shtënat ishin të njëpasnjëshme dhe jo në breshëri. Dmth ishin të mirëorganizuara. Dhe dy sulmuesit kur kanë dalë nga zyrat e redaksisë kanë tentuar të merrnin një veturë dhe mënjëherë kanë mbërritur forcat e policisë.

Ata kanë shtënë mbi ta, duke lënë dy policë të vrarë. Dhe më pas dy sulmuesit kanë ndaluar një njeri të rastësishëm që udhëtonte me një veturë Citroen 3, i kanë marrë makinën nën kërc ënimin e armës dhe janë larguar në drejtim të pjesës verilindore të Parisit”.

Deri më tani janë 12 viktima, prej tyre 10 pjesë e stafit të revistës, ndërsa dy të tjerë efektivë policie.

Gazetari Putra tha se nga të shtënat kanë mbetur të plagosur edhe 20 persona të tjerë, 4-5 prej tyre në gjendje kritike për jetën.

“Është një situatë mjaft e vështirë.Të gjithë gazetarët japin mendimin se është dhunuar fjala e lirë,është cënuar mu në mes të Parisit. Bëhet fjalë për 12 persona të vdekur, nga të cilët 10 janë anëtarë të revistës së përjavshme “Charlie Hebdo”, është një revistë satirike.Ndërsa dy persona të tjerë janë anëtarë të policisë, të cilët deshën të pengonin sulmuesit por ranë në breshërinë e plumbave.

Përveç 12 viktimave njoftohet edhe për rreth 20 persona të tjerë të cilët janë të plagosur në gjendje të rëndë.4-5 prej këtyre të plagosurve gjenden në situatë kritike për jetën. Në orët në vijim do të shohim nëse do të mund të mbijetojnë ose jo. Presidenti francez u shpreh se është cënuar fjala e lirë. Është një akt i shëmtuar terrorist që meriton ndëshkimin e të gjithëve.

Nga autoritetet zyrtare franceze po merren të gjitha masat për të ndjekur të gjitha pistat e mundshme për kapjen e këtyre dy autorëve dhe gjetjen e porositësve të tyre. Revista satirike “Charlie Hebdo”, është një institucion i pavarur që herë pas here ka ironizuar fenomene të ndryshme të jetës shoqërore, politike, fetare në Francë dhe për këtë gjithmonë ka qenë në shënjestër të individëve ose grupeve që nuk e duan fjalën e lirë”.

Rreth orës 20:00 të mbrëmjes Presidenti Hollande do të mbajë një konferencë për shtyp, ndërsa në vend ka një përforcim të sigurisë.

“I gjithë kabineti qeveritar është angazhuar në maksimum për të gjetur organizatorët e këtij akti. Masa parandaluese janë marrë edhe në të gjitha redaksitë e mediave këtu në Paris që edhe më përpara kanë qenë të kërcënuara.

Shikohet përforcim i stafit të sigurisë. Duket fare qartë që ka një prani të shtuar të forcave policore. Presidendi Hollande në orën 20:00 do të mbajë një konferencë shtypi ku do shprehet më qartë”.

SHKARKO APP