Terroristi grek do arratisej drejt Shqipërisë

Policia greke bëri të ditu të shtunën se ka arrestuar terroristin e shumëkërkuar Christodoulos Xiros. 56- vjeçari ishte dënuar me gjashtë dënime të përjetshme për shumë vrasje të kryera nga grupimi marksist 17 Nëntori. Ai nuk ishte kthyer në burg, pasi kishte marrë leje një vit më parë. Xiros u gjet në një shtëpi, të cilën e mbante me qira nën një identitet tjetër.

Një arsenal armësh iu gjet aty, përfshi tetë Kallashnikovë, një granatahedhës me tre raketa, tre granata, pajisje për të prodhuar bomba, etj. Ai u arrestua ndërsa ngiste një biçikletë dhe kishte ndryshuar pamjen pasi kishte rritur flokët dhe mjekrën si dhe mbante syze.

Policia mendon se brenda pak ditësh ai do kishte kryer një sulm në një nga burgjet e vendit, në Korydallos. Qëllimi ishte që të lironte të burgosurit. Më pas, mendohet se atij i ishte përgatitur një rrugë e sigurt për t’u arratisur nga Greqia në Shqipëri.

Grupimi i shpërbërë 17 Nëntori lindi në mesin e viteve ’70 dhe mori përgjegjësinë për një seri sulmesh ndaj diplomatëve të huaj dhe politikanëve e biznesmenëve grekë. Këto sulme shkaktuan të paktën 23 viktima. Ndërkohë që ishte në arrati, Xiros doli në një video, ku kërcënonte me sulme ndaj masave të kursimit në Greqi, të nxitura nga komuniteti ndërkombëtar.

SHKARKO APP