Thirri seancën për ‘gjobën’ 2 milionë dollarë ndaj OSHEE-së, gjyqtari Desart Avdylaj reagon për thyerjen e urdhrit të KLGJ-së mbi grumbullimet
Ditën e djeshme u raportua se gjyqtari Desart Avdylaj kishte thirrur seancën gjyqësore ndaj OSHEE, ndaj së cilës kërkohet shlyerja e një dëmshpërblimi 2 milionë dollarë ndërsa sot është parashikuar shpallja e vendimit.
Një vendim I tillë nga ana e Apelit në Durrës vjen në kohën kur Këshilli I Lartë Gjyqësor prej rreth një muaji ka dhënë udhëzimet në zbatim të masave parandaluese të përhapjes së koronavirusit për shtyrjen e seancave gjyqësore që grumbullojnë njerëz në t njëjtin ambient.
Gjyqtari Avdyli ka reaguar zyrtarisht për lajmin se kishte vendosur të shkilte urdhërin e KLGJ dhe sqaron se ditën e sotme janë lënë për t’u zhvilluar seanca gjyqësore penale dhe civile për shpallje vendimi; seanca gjyqësore që zhvillohen pa praninë e palëve si dhe seanca gjyqësore që janë në fazën ku janë dëgjuar kërkesat dhe shpjegimet e palëve mbi ankimet përkatëse dhe gjykata duhet të shprehet në lidhje me to.
Sipas tij, natyra e këtyre çështjeve është në përputhje me përcaktimet ligjore duke shtuar se dhe pse është pezulluar veprimtaria gjyqësore në tërësi, në nenin 3 të Aktit Normativ nr.9, datë 25.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga Covid-19”, është parashikuar se do të vazhdojë gjykimi për disa çështje të cilat edhe I ka radhitur në këtë reagim.
“Në çdo rast, në seancat që zhvillohen, janë të pranishëm vetëm palët ndërgjyqëse (në çështjet civile) dhe prokurori dhe i pandehuri/i paraburgosuri/i dënuari (në çështjet penale)”, shprehet Avdylaj.
Reagimi i plotë:
Duke marrë shkas nga një njoftim mbrëmjen e djeshme në mediat vizive se në Gjykatën e Apelit Durrës po zhvillohet një gjykim me palë OSHEE-në në kundërshtim me vendimin e KLGJ-së për pezullimin e veprimtarisë gjyqësore, i bëjmë të ditur opinionit publik dhe medias se ditën e sotme janë lënë për t’u zhvilluar seanca gjyqësore penale dhe civile për shpallje vendimi; seanca gjyqësore që zhvillohen pa praninë e palëve si dhe seanca gjyqësore që janë në fazën ku janë dëgjuar kërkesat dhe shpjegimet e palëve mbi ankimet përkatëse dhe gjykata duhet të shprehet në lidhje me to.
Natyra e këtyre çështjeve dhe zhvillimi i seancave gjyqësore është në përputhje të plotë me përcaktimet e pikave “2” dhe “3” të vendimeve respektive të KLGJ-së me nr. 127, datë 10.03.2020, nr.128, datë 24.03.2020 dhe nr.133, datë 06.04.2020. Jo vetëm mbi bazën e këtyre vendimeve të sipërcituara, por Këshilli i Ministrave ka nxjerrë Aktin Normativ nr.9, datë 25.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga Covid-19”, i cili ka hyrë në fuqi menjëherë, duke patur fuqinë e ligjit, botuar në FZ.nr.50/2020, datë 25.03.2020.
Referuar akteve të nxjerra nga KLGJ-ja dhe Këshilli i Ministrave dhe pse është pezulluar veprimtaria gjyqësore në tërësi, në nenin 3 të Aktit Normativ nr.9, datë 25.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga Covid-19”, është parashikuar se do të vazhdojë gjykimi për:
- çështjet familjare, me objekt gjykimi kujdesin, detyrimet dhe respektimin e të drejtave të të miturve, kujdestarinë dhe birësimin, masat mbrojtëse ndaj dhunës në familje, ushtrimin e përgjegjësisë prindërore, përkujdesjen dhe detyrimet për ushqim;
- çështjet civile në të cilat, përjashtimisht, gjykata vlerëson se shqyrtimi i vonuar i tyre mund të shkaktojë dëm të rëndë e të pariparueshëm për palët;
iii. çështjet penale, që lidhen me vleftësimin e arrestit në flagrancë ose ndalimit, caktimin, verifikimin e kushteve e të kritereve të caktimit dhe nevojat e sigurimit, zëvendësimin, revokimin, bashkimin ose shuarjen e masave të sigurimit të “arrestit në burg” ose të “arrestit në shtëpi”, kur të arrestuarit, të pandehurit ose mbrojtësit e tyre kërkojnë që të vijohet me shqyrtimin e tyre, si dhe në çështjet penale që lidhen me caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”;
- çështjet penale, në të cilat afatet e kohëzgjatjes maksimale të paraburgimit, sipas pikës 6, të nenit 263, të Kodit të Procedurës Penale, mbarojnë gjatë periudhës së pezullimit;
- çështjet penale të një natyre urgjente, për shkak të nevojës së sigurimit të provës, sipas nenit 316, të Kodit të Procedurës Penale. Urgjenca vlerësohet nga gjykata që shqyrton çështjen;
- çështjet penale në ngarkim të të miturve në konflikt me ligjin, kur ndaj tyre është zbatuar masa e arrestit apo e ndalimit, sipas nenit 15, të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur;
vii. çështjet e tjera penale ku i pandehuri është i paraburgosur ose është duke vuajtur dënimin me burgim, në rast se i pandehuri ose mbrojtësi i tij kërkojnë vazhdimin e gjykimit.
viii. çështjet civile në të cilat nuk kërkohet prania e palëve, nëpërmjet përdorimit të mjeteve të komunikimit elektronik për paraqitjen e akteve procedurale dhe dhënien e vendimit nga gjykata.
Në çdo rast, në seancat që zhvillohen, janë të pranishëm vetëm palët ndërgjyqëse (në çështjet civile) dhe prokurori dhe i pandehuri/i paraburgosuri/i dënuari (në çështjet penale).
Përsa i përket çështjes së trajtuar në media, gjykimi i saj ka mbetur në fazën ku janë dëgjuar kërkesat e paraprake të palëve dhe janë dhënë shpjegimet mbi ankimet respektive siç parashikohet në nenin 464 të K.Pr.Civile. Në rastin konkret për këtë çështje është vendosur më parë që kjo çështje të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar sipas përcaktimeve të vendimit të KLGJ-së nr.78, datë 30.05.2019 “Për kalendarin e shqyrtimit të çështjeve në gjykatën e apelit”. Palët janë njoftuar për t’u paraqitur në seancë që gjykata të shprehet mbi kërkesat dhe ankimet respektive.
Në të gjitha çështjet që zhvillohen, nëse se palët kanë dijeni rregullisht dhe nuk paraqiten dhe marrja e vendimit ka karakter prekluziv për t’u shpallur në një afat të caktuar, seanca gjyqësore vijon. Nëse palët kanë pamundësi paraqitje dhe njoftojnë gjykatën për mospjesëmarrje atëherë seanca gjyqësore shtyhet për një ditë tjetër.
Gjykata e Apelit Durrës garanton dhe siguron opinionin publik dhe median se po zhvillon veprimtarinë e saj në transparencë të plotë në bazë dhe në zbatim të kufizimeve të veprimtarisë gjyqësore të përcaktuara nga institucioni i KLGJ-së dhe i Këshillit të Ministrave.