Thirrja e Veliajt: Kurseni ujin e pijshëm, mos lani lokale dhe makina
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u kërkoi qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm në përdorimin e ujit të pijshëm në këtë situatë krizë nga thatësitra. Deklaratat e Veliajt u bënë gjatë përurimit të sheshit rekreativ dhe këndi i 18-të i lojërave në Rr. “Sulejman Delvina”
Veliaj: Kemi kaluar një situatë jo të lehtë në Tiranë sa i përket çështjes së ujit të pijshëm. Dua të ftoj të gjithë qytetarët për pak solidaritet. Kjo do të thotë se fati i dikujt tek Astiri që s’ka ujë është i lidhur me fatin e dikujt në Kinostudio që po vadit bahçen; fati i dikujt në Tiranën e Re që s’ka ujë është i lidhur me fatin e dikujt në Shkozë i cili po lan lokalin. Do të thotë që në këtë qytet, vërtet jemi 1 milionë banorë, por fatet i kemi të lidhura bashkë, ndaj është shumë e rëndësishme që të tregojmë solidaritet.
Kreu i Bashkisë tha se qytetarët duhet të shmangin shfrytëzimin e ujit të pijshëm për ujitje apo për larjen e automjeteve, si një mundësi për të shfrytëzuar maksimalisht rezervat hidrike.
Veliaj: U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që le të presë makina, le të presë bahçja ose të përdorim ujë pusi, por le të mos lëmë pa ujë njerëz në zona si ajo e Astirit. Vërtet nuk është gjithë Tirana, është 10-15% e kryeqytetit në këtë situatë, por është mjaftueshëm e dëmshme për të kuptuar që dikush tjetër që po abuzon për të freskuar rrugën e vet për të vaditur bahçen e për të larë makinën, realisht po lë një familje tjetër në Tiranë pa ujë.
Ai shtoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur të marrë të gjitha masat e nevojshme për të disiplinuar përdorimin e ujit të pijshëm dhe për prerjen e lidhjeve të paligjshme.

