Tom Doshi: “Do t’ia dridh themelet Edi Ramës. Është i pabesë e bukëshkalë”

Ka shpërthyer deputeti Tom Doshi para seances parlamentare Ai ka folur egër dhe fortë kundër kryeministrit Rama duke e quajtur “mosmirënjohës dhe bukëshkalë. Do t’ia dridh themelet e qeverisë së Edi Rames”, ka thënë ai para medias. “Lufta sapo ka filluar mes meje e Edi Rames”, deklaroi deputeti Doshi. Me pas deputeti shkodran tha se nuk ka ndermend të largohet nga grupi parlamentar i PS, por do të luftojë aty brenda kundër Edi Rames që nuk po mban premtimet.

 Deputeti Doshi tha se konflikti mes tij dhe Ramës është parimor dhe ka si qëllim zbatimin e premtimeve që Rama ka dhënë në Shkodër gjatë fushatës. “Unë i kërkoj kryeministrit që ti bëjë publike kërkesat e mija. Shqetësimi im ka qenë për premtimet që ka bërë në fushatë për Shkodrën. Gjithë buxheti është përqendruar në Jug. Kemi premtuar një fushatë për ujitjen e çdo bime. Janë disa komuna që kemi premtuar bashkë dhe unë u kam thënë se nuk vijë në fushatë për vota, nëse ujësjellësit nuk bëhen në zgjedhjet e ardhshme”,- tha Doshi.

Doshi tha se ky është vetëm fillimi i përplasjes me kreun e mazhorancës. Sipas tij, nëse do të fliste me hapur se kaq do të dridheshin themelet e mazhorancës. “Edhe përsa i përket Drejtoreshës së Doganave dhe tatimeve, Edi Rama të dalë dhe të flasë publikisht për lidhjet nepotike.  Rama e di mirë se dhe Berisha dhe Topalli nuk kanë fituar luftë me mua. Edi Rama e di mirë se lufta brenda llojit është si kanceri”,- tha Doshi.

Ai ka akuzuar Ramën dhe për situatën ekonomike, ndërsa i ka kujtuar se në Shkodër nuk ka humbur asnjë përballje elektorale. “Kam 10 vjet që jam në politikë. Rama është mosmirënjohës dhe bukëshkelës për të gjithë ata që e votuan në Shkodrës. Sa ka filluar lufta mes meje dhe tij. Pakënaqësia e popullit dihet. Ekonomia është më e keqe se se në kohën e Berishës”,- tha Doshi.

 

Deklarata e plote e deputetit socialist bërë sot në orën 12:00

Tom Doshi: ” Unë i kërkoj kryeministrit që t’i bëjë publike kërkesat e mia personale. Shqetësimet e mia kanë qenë për problemet që janë me bazën e Partisë Socialiste për premtimet që ai ka bërë në fushatë, që nuk ka dhënë asnjë investim për Shkodrën. I gjithë buxheti është përqëndruar në jug.

Kemi premtuar në fushatë për ujitjen e çdo bime, Në Shkodër, s’kanë ujë me pi.

Pra janë disa komuna që i kemi premtuar bashkë, dhe i kam thënë që unë nuk vi më në fushatë për t’ju kërkuar më votën nëse ujësjellësat nuk bëhen deri në zgjedhjet e ardhshme.

Do t’ja bëj me dije Edi Ramës që që sot e tutje, mes meje dhe tij nuk ka më paqe dhe do ta shohin se kush është i humbur prej kësaj situate.

Çdo gjë do t’ja bëj publike por edhe ai t’i bëjë publike ato që thotë.

Kur të flas unë, do t’i dridhen themelet maxhorancës dhe qeverisë.

Do vazhdoj të jem pjesë e grupit parlamentar. Unë përfaqësoj të gjithë elektoratin e Shkodrës. Kam 10 vjet që jam në politikë, kam drejtuar të gjitha zgjedhjet parlamentare dhe lokale dhe dihet se çfarë fitoresh ka pasur PS në Shkodër, por Edi Rama është mosmirënjohës, bukëshkelës për mua dhe ata që e votuan në Shkodër dhe do ta shohë edhe në zgjedhjet lokale.

Sapo ka filluar lufta mes meje dhe tij, nuk kam gjë personale. Ekonomia është më keq se në kohën e Berishës, por po pasurohen një grup njerëzish që ka rreth vetes.

Edhe përsa i përket drejtoreshës së Tatimeve, Edi Rama duhet të japë përgjigje publikisht për lidhjet nepotike që ka emëruar ajo në dogana, tatime, polici.

Gazetarja : Do të jeni në grupin e Partisë Socialiste?

Tom Doshi: Patjetër, përfaqësoj votuesit e PS në Shkodër. Do të jem një kritik më i aktiv se me qenë në opozitë.

Gazetarja : Jeni takuar me zotin Berisha?

Tom Doshi: S’kam lidhje me zotin Berisha. Edi Rama e di shumë mirë që edhe Berisha dhe Topalli nuk kanë fituar luftë me mua, e jo më Edi Rama. Lufta brenda llojit është si kanceri që nuk gjen shërim”.

Gazetarja : Zoti Doshi a i druheni një përjashtimi nga grupi parlamentar?

Për çfarë të përjashtohem nga grupi parlamentar. Unë kërkoj transparencë prej Edi Ramës, nuk kërkoj gjë tjetër. Transparencë, sepse ka premtuar që nuk do të ketë korrupsion, lidhje nepotike të cilat për 1 vitë e gjysëm e kanë kaluar 4 vjetëshin e parë të Berishës”.

Deputeti i qarkut të Shkodrës e nisi betejën e tij në mbledhjen e grupit të PS të 23 shkurtit 2015, ku akuzoi drejtues të lartë të maxhorancës dhe kërkoi ndryshime në qeveri. Por më pas dozat e akuzave kanë marrë përmasat e një lufte që duket që sapo ka filluar mes tij dhe Edi Ramës.

 

SHKARKO APP