Tregtarët e fruta-perimeve në Vlorë protestojnë sërish para bashkisë, kundërshtojnë mbylljen e tregut
Tregtarët e tregut të madh të fruta-perimeve në Vlorë kanë protestuar këtë të hënë përpara Bashkisë së qytetit, pas mbylljes së tregut në kuadër të një projekti për rikualifikimin urban të zonës pranë Sahatit. Sipas Bashkia Vlorë, mbyllja e tregut është pjesë e një projekti rehabilitimi që synon përmirësimin e infrastrukturës dhe rregullimin e qendrës së qytetit.
Megjithatë, tregtarët shprehen se nuk janë kundër ndërhyrjes urbane, por kundërshtojnë mungesën e një zgjidhjeje alternative për vazhdimin e aktivitetit të tyre tregtar gjatë periudhës së punimeve. Ata theksojnë se vendet e propozuara nga autoritetet janë larg zonave me qarkullim të lartë dhe klientelë, gjë që sipas tyre do të çonte në rënie të ndjeshme të të ardhurave. “Malli do të mbetet stok”, kanë deklaruar protestuesit, duke paralajmëruar se situata mund t’i çojë drejt falimentimit.
Tregtarët shtojnë se kanë furnizuar mallra për sezonin aktual dhe mbyllja e tregut i vë në vështirësi të menjëhershme financiare. Ata kërkojnë një zgjidhje të shpejtë dhe të përshtatshme nga autoritetet lokale. Sipas tyre, protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim nëse nuk gjendet një marrëveshje për zhvendosjen e përkohshme të aktivitetit tregtar.
KOHA JONË SONDAZH

