Treshe: Kryeministri,Jozi dhe “Luli i vogël”

 
 
Dje pati një debat të fortë mes Edi Ramës dhe Jozefina Topallit. Ish-kryetarja e parlamentit dhe ish-nënkryetarja e PD-së Topalli kërkoi që derisa në sallë nuk ka deputetë e ministra të LSI, bile as vetë Ilir Meta, atëhere qeveria ka rënë. Ndaj të shkohet në zgjedhje të parakohshme, insistoi ajo. Por Edi Rama me shpoti e sarkazëm tha se nuk ka pse të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare derisa me 21 qershor përsëri populli na i dha votat, bile pak me shumë se sa e mendoje ti Jozi, ndonëse doje humbjen e Lulzim Bashës që ti zini vendin. Pra doni që të palosni “Lulin e vogël”- ishte nënteksti i kryeministrit. Aq shumë e do Jozi këtë palosje!
Çështja e vajtjes në zgjedhje të parakohshme nuk ka se si të ndodhë  prej opozitës së sotme e cila akoma nuk është rigjeneruar nga humbjet e vitit 2013 dhe qershor 2015. Aq me tepër që PD-ja nuk po paraqet një platformë publike më të mirë se si mund të vijë në pushtet e të rregullojë jetën e qytetarëve. Në zgjedhje shkohet vetëm nëse Edi Rama dhe Ilir Meta nuk bien dakort për qeverinë e sotme dhe shkojnë  në sherrnajë, e cila natyrisht që përfundon me zgjedhje.
 
Ndaj duke e ditur Kryeministri se me LSI nuk janë aq keq, siç po shkruhet e thuhet ,ndonëse realisht ka nevojë për ndryshime drastike në Qeveri, luajti me lojën mes Jozefinës dhe Lulzim Bashës, duel që vetëm sa ka filluar në PD. Jozefina nuk është kaq e lehtë për t'u gëlltitur nga suita e re që ka marrë selinë blu, sepse ka kontribuar në kohë të vështira në PD e përkrah Berishës në ato kohë kur asnjeri prej drejtuesve të rinjë demokratë nuk ishte as simpatizant i Saliut. Ndaj duke ia ditur këtë brengë Jozefinës në PD, Rama nuk përtoi ta thoshte në sallën e Kuvendit për ta bërë me të zjarrtë sherrin në selinë blu. Nuk ia përtoi edhe Topalli për t'i thënë kreut të Ekzekutivit këto fjalë: “ Është në vitin e  tretë të qeverisjes dhe stërgjatja e tij që nuk ka asnjë lidhje me parlamentin dhe as  karrigen e tij për mënyrën si foli ngjason me një të folur në kabare. Ka një arsye të madhe sot më shumë se anjëherë tjetër sot kryetari i Kuvendit, Ministrat dhe deputetët e LSI e kanë bojkotuar  qeverinë e  1 milion shuplakave. Sot Qeveria e Edi Ramës ka rënë. Ky është thelbi i stërzgjatjes në gënjeshtra, mashtrime, fyerje, syulme, kërcënime që i bën opozitës. Zoti. kryeministër, kur nuk ka më vota është mirë të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Je në vitin e tretë të qeverisjes, në 25 vite nuk gjendet një qeveri tjetër e majtë apo e  djathtë të ketë dështuar në mënyrë më spektakolare se qeveria e drejtuar prej jush. Asnjë bisedë me pasqyrat duke menduar se çfarë do thonë te kundërshtari për t’iu përgjigjur pastaj me gënjeshtra, nuk ju shpëton nga kjo situatë. Nuk është dramatike të shkosh në zgjedhje të parakohshme, shkohet, trego çfarë ke bërë, thuaju atyre se ndoshta të besojnë se është rritur punësimi me 10%, se janë rritur të ardhurat, se çmimet kanë rënë, se i vjen era shtet këtij shteti. Vetëm sot në përgjigje të premtimeve se do të ketë shëndetësi falas u dëgjua që në Berat edhe ambulancat janë kthyer në salla bukurie ku bëjnë pedikyr etj etj. Kjo është era shtet? Një shtet ku kërcet tritoli, ku është kapur për fyti nga mafia, një shtet ku vriten, ku Kryeministri dhe  Ministri i Brendshëm zgërdhihen dhe pse me makinat e tyre trafikohet drogë, një shtet ku deputetët janë të akuzuar për vrasës, deputetët që janë të akuzuar fort për tutorë të qënieve njerëzore dhe Kryeministri e dridhte tre orë rresht përrallën e kaluar se nuk kishte guxim të thoshte se deputeti nuk kishte dhënë dorëheqje, ndryshe nga çkishte gënjyer. Zoti. Rama të ka rënë qeveria, Ilir Meta të ka ik, Ministrat të sabotojnë, asnjë deputet i LSI nuk është këtu, ti je vetëm. Shko në zgjedhje të parakohshme, drejtoju shqiptarëve dhe kërkoju votat dhe pale a po ta japin për të gjithë premtimet e mbajtura”.
 
Kaq tha ish-nënkryetarja e Kuvendit dhe nuk ia përtoi Edi Rama dhe doli në foltoren e parlamentit, i cili siç duket i bie Jozefinës që t'i shtojë pikë në bazën e demokratëve, dhe ironizon Lulzim Bashën, që sipas Ramës, nuk është kryetari real i PD-së.
 Ja se çfarë tha kryeministri pas Jozit: “Jozefinë, kryetari i partisë tane, ky i vogli jo i madhi, para disa muajsh i ftoi shqiptarët në një referendum dhe thirrjes për referendum ju bashkuan të gjithë veç teje. Por këtu nuk hyj të gjykoj se çfarë arsyesh kishe ti që nuk kërkove referendum. U kërkua një referendum nga PD dhe ju tha shqiptarëve në 21 qershor të gjithë në votime për të rrëzuar qeverinë, janë orët e fundit, tik-tak, tik-tak, me sahat me zile, me zile pa sahat dhe vajtën në referendum Jozefinë.Po të kujtoj rezultatin e referendumit, 1 milion ishin, 1 milion janë. Nuk po të llogaris se çfarë u shtuan, por vetëm çfarë ishin dhe çfarë janë. Zgjedhje të parakohshme se ti ëndërron që të humbë prapë kryetari jot i vogël dhe pastaj të shohësh dhe të bësh në punët e SHQUPI-t ne nuk bëjmë dot. Ju jeni në hall, ne ua dimë hallin, por nuk merremi dot me hallet tuaja dhe nuk shkojmë dot në zgjedhje se ju keni halle. Nuk mund të shkosh dot në zgjedhje të parakohshme, sepse nuk është tharë akoma vula e rezultatit, e kërkuat ju referendumin jo ne. Gjejini punë opozitës, merruni me gjëra serioze, hajdeni për të diskutuar për çështje programore, por ju program s’keni, lider nuk keni, jeni katandisur tek ky lideri këtu në pritje ( i drejtohet Palokës)”.
 
Kaq u desh të thoshte Rama dhe filluan të daraviten deputetët e PD-së të pranishëm në sallën e Kuvendit. Një palë shikonte Jozefinën si lidere të selisë blu, të tjerë vështronin karriken bosh të Berishës në parlament, kurse pjesa e re e PD-së mbanin mendjen tek Basha në Madrid.
 
Me një fjalim shpotitës dhe diversionist Edi Rama iu futi zjarrin grupit të deputetëve demokratë, të cilët ishin bashkë kur hynë në sallë dhe u ndanë  në tre pjesë sapo Rama u hodhi karremin e liderit, Jozit dhe Lulit të vogël që nuk është kryetari real.

SHKARKO APP