Tritol banesës së vrasësit, autori nuk tregon porositësit: Mora 5 mijë euro
23- vjeçari Vilson Brahaj nga Kukësi me precedentë penalë, është autori i tritolit që shpërtheu pak ditë më parë në banesën e Gazmir Dacit, i dënuar për vrasje.
Sipas policisë, Brahaj kundrejt pagesës prej 5 mijë euro, ka vendosur sasinë prej 500 gramë lëndë plasëse tritol në banesën e Xhelal Dacit, babait të Gazmir Dacit. Pas ngjarjes, autori ka hedhur në lumë tek “Ura e Tapizës” rrobat e përdorura gjatë kryerjes së krimit, ndërsa automjetin e kishte fshehur në një bodrum afër “Urës së Tapizës”.
23-vjeçari ka pranuar krimin, duke treguar se është paguar për të vendosur tritolin por nuk ka treguar porositësit, ndërsa policia po heton në konfliktin që familja Daci ka me atë Kolaveri.
”Mora 5 mijë euro për të vendosur tritolin në banesën e Xhelal Dacit. Nuk kam asgjë me Xhelal Dacin, por gjithçka e bëra për para, pasi jam i papunë. Tritolin e bleva dhe e montova në Fushë Krujë”,-mësohet të ketë thënë Brahaj.
Gazmir Daci po vuan dënimin me 35 vite në burg për vrasje, ndërsa banesës i është vendosur edhe tre herë të tjera eksploziv. Xhelal Daci akuzoi Saimir Kolaverin për ngjarjen, ndërsa paralajmëroi hakmarrje nëse shteti nuk reagon.
Njoftimi i Policisë
Finalizohet operacioni “Pagesa”
Zbardhet në kohë rekord nga Komisariati Nr 5, ngjarja e shpërthimit të një sasie tritoli në banesën e shtetasit XH.D në Kamëz. Kapet dhe ndalohet autori i dyshuar i vendosjes së lëndës eksplozive. Sekuestrohet automjeti me të cilin autori ka lëvizur dhe transportuar lëndën shpërthyese.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Numër 5 Kamëz, në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas një punë profesionale si dhe bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë operative, mbrëmjen e djeshme kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Pagesa”, ku është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 27.07.2018, në rrugën “Martin Camaj” Bathore, ku në banesën e shtetasit Xh.D., është vendosur lëndë shpërthyese, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe ndalimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarje: – Vilson Brahaj , 23 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Kamëz ,Tiranë. Nga tërësia e veprimeve të kryera dyshohet se ky shtetas kundrejt pagesës ka vendosur sasinë prej 500 gramë lëndë plasëse në banesën e shtetasit XH.D. Autori i dyshuar pas kryerjes së krimit ka hedhur në lumë tek “Ura e Tapizës” rrobat e përdorura gjatë kryerjes së krimit, ndërsa automjetin e kishte fshehur në një bodrum afër “Urës së Tapizës”.
Për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhënë të tjera. Sa më sipër në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti të cilin autori i dyshuar e ka përdorur për të transportuar dhe shpërthyer lëndën plasëse në banesën e shtetasit Xh. D. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit Vilson Brahaj, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, parashikuar nga neni 152 i Kodit Penal.
KOHA JONË SONDAZH

