U arrestua për dhunë, ndërron jetë pas takimit me babanë i paraburgosuri në Korçë

Një i paraburgosur ka ndërruar jetë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, pas shfaqjes së komplikacioneve shëndetësore në qeli.

I paraburgosuri, Aurrel Sabriu, shfaqi probleme në burgun e Korçës, pas një takimi që pati me të atin. Ai humbi ndjenjat në dhomën e tij pasi takoi babanë dhe u transportua menjëherë në spitalin rajonal të Korçës. Më vonë 49-vjeçari u dërgua për trajtim të specializuar në Tiranë, ku ndërroi jetë në QSUT për shkak të problemeve kardiake.

Aurrel Sabriu ishte arrestuar për dhunë në familje.

“I paraburgosuri Aurrel Sabriu ka ndërruar jetë sot, më datë 04.09.2024, rreth orës 10:30, në Reanimacionin Qendror të QSUT-së.

Shtetasi i paraburgosur ishte shoqëruar në Spitalin Rajonal Korçë, pasi humbi ndjenjat në dhomën e tij pas takimit me të atin.

Me rekomandim të mjekëve të spitalit, ai u transferua dhe u shtrua në Reanimacionin Qendror në QSUT për shkak të problemeve kardiake.

Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Korçë ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për njoftimin e Prokurorisë, Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë, si dhe Specialistit të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHKBSB).

I paraburgosuri Aurrel Sabriu, i lindur më 29.08.1975 në Maliq, ishte arrestuar më 22.05.2024 për dhunë në familje dhe ishte transferuar në IEVP Korçë më datë 25.05.2024 nga Komisariati i Policisë Korçë.”- thuhet në njoftim.

SHKARKO APP