Ujësjellësi i Tiranës në njoftim urgjent: Merrni masa, tubat e ujit në banesa mund të dëmtohen nga akulli
Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka dalë me një njoftim urgjent për të gjithë qytetarët duke i paralajmëruar që të marrin masa lidhur me furnizimin pasi ditë të vështira po vijnë.
Në njoftimin e bërë, UKT-ja kërkon nga të gjithë qytetarët që të marrin masa për të mbrojtur tubacionet brenda dhe jashtë banesave të tyre, pasi në ditët në vijim termometri do të shënojë temperatura me minus. Pikërisht këto temperatura të ulëta mund të shkaktojnë dëme në tubacine.
Njoftimi i plotë i Ndërmarrjes së Ujësjellësit:
Si pasojë e temperaturave të ulta në ditët në vijim, Ujësjellës Kanalizime Tiranë, njofton të gjithë qytetarët e Tiranës për marrjen e disa masave parandaluese për mbrojtjen e sistemit të brendshëm të rrjetit ujësjellës, përfshirë dhe matësat e ujit, në mënyrë mos dëmtimin e tyre si pasojë e kushteve atmosferike.
Lutemi të tregoni kujdes për tubacionet / instalimet brenda pronës tuaj, përfshirë këtu edhe ujëmatësit. Rikujtojmë të gjithë qytetarët se janë ata përgjegjës për mbrojtjen e tubave të ujit dhe të ujëmatësve (të brendshëm ose të jashtëm, në afërsi të banimit), nga ajri i ftohtë.
Sygjerojmë që në katet përdhese, ku tubacionet e furnizimit me ujë, janë më shumë të ekspozuara me ambientin jashtë dhe mundësitë e rrjedhjes janë potenciale, ju lutemi të merrni masa duke i mbuluar apo izoluar për të arritur një mbrojtje optimale.
Për çdo problematikë lutemi të sinjalizoni në numrin tonë të gjelbër 08004488, gjithashtu edhe në Pikat UKT më të afërta në zonën tuaj të banimit. Inxhinierët tanë dhe specialistët e terrenit janë në gatishmëri të plotë në shërbimin tuaj! Së bashku kalojmë çdo vështirësi!