Urdhri i Infermierit: Stop dhunës ndaj bluzave të bardha

Urdhri i Infermierit të Shqipërisë ka kërkuar sot publikisht që  t’i jepet fund dhunës ndaj bluzave të bardha.

Sipas drejtuesve të tij. ditët e fundit bluzat e bardha janë vënë nën një presion psikologjik nga shteti dhe media dhe kjo ka nxitur njerëzit e papërgjegjshëm të ushtrojnë dhunë fizike ndaj bluzave të bardha.

Bluzat e bardha kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithmonë sipas tyre në krye të detyrës edhe në momentet më të vështira kur asnjë institucion i këtij shteti nuk ka funksionuar, ata si heronj të vërtetë kanë shpëtuar me mijëra jetë njerëzore dhe askush nuk i ka vlerësuar dhe nuk i ka motivuar.

“Infermieria si kudo në botë është dhe mbetet një nga profesionet më të vështira dhe më të rrezikuara. Kudo në botë edhe në vendet e zhvilluara po e ndjejnë mungesën e tyre dhe po mendojnë të korrigjojnë gabimet që kanë bërë, ne i kemi, t’i ndihmojmë dhe t’i motivojmë e jo t’i dhunojmë. Rasti i dhunës ndaj një infermieri në Urgjencën e QSUT, dhunimi i mjekes në QSUT, videoja e sajuar me 200 lekëshin për infermieren-mjeke në Pediatri janë raste shumë të rënda që vijnë menjëherë pas një fushate mediatike kundër bluzave të bardha”, cilësojnë drejtuesit e UISH-së.

Duke shtuar mes të tjerash debatet e gjera në media dhe lufta politike nuk duhet të njollosë bluzat e bardha. Pasi pasoja e kësaj situate janë dhuna fizike e ditëve të fundit, por edhe një situatë psikologjike e rënduar tek bluzat e bardha, një fashitje dhe demoralizim i tyre në punë që sjell dhe rënien e efektivitetit të tyre në punë.

“U bëjmë thirrje Drejtuesve të Institucioneve Shëndetësore se misioni i tyre realizohet me bluzat e bardha, vlerësojini ato dhe kur duhet pozicionohuni në anën e tyre se do jeni më të suksesshëm. Ne bëjmë thirrje të ndalet dhuna. Mangësitë dhe defektet e sistemit të mos u faturohen bluzave të bardha”, pohon mes të tjerash UISH.

Duke përfunduar se ka 25 vjet që në shëndetësi punohet vetëm për ndryshim infrastrukture dhe aparatesh mjekësore. Askush nuk është marrë me burimet njerëzore, me kualifikimin e tyre në përshtatje me teknologjitë e reja, me njohuritë e reja të shkencës mjekësore. E sot kur mendohet për t’u marrë me to gjërat politizohen dhe bëhen stresante dhe demoralizuese për bluzat e bardha.

“Shëndetësinë do e ndryshojnë punonjësit e shëndetësisë, infermierinë do e ndryshojë infermierët, të bashkëpunojnë me ta për të ndryshuar dhe për të ecur më shpejt drejt një kujdesi sa më cilësor për pacientët. Sot janë hapësirat ligjore dhe institucionet të gjitha në mbrojtje të pacientëve, kush mendon se ka të drejtë të gjejë vetëm rrugën ligjore. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë se bluzat e bardha janë si ju, me ju dhe për ju. Me respekt dhe dashuri do të fitojmë më shumë se me dhunë nuk fiton asnjë njeri. Stop dhunës!”, përfundon deklarata e UISH-së.

SHKARKO APP