Vdekja e Aidës në maternitet, Beqaj: Hetim administrativ por sistemi funksionoi
Aida Çakja, nëna 35-vjeçare që humbi fëmijën edhe veten një javë më parë, pas sorrollatjeve nga një spital në tjetrin, ka ende shumë pikëpyetje. Çfarë nuk funksionoi sistemi? A janë thënë të gjitha të vërtetat dhe kush do ta mbajë përgjegjësinë për këtë rast?
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në emisionin “Top Story”, është shprehur se dikasteri që ai drejton do të nisë menjëherë një hetim administrativ për rastin në fjalë, por këmbënguli se sistemi funksionoi. “Ne ende nuk e dimë të saktë se pse ka ndodhur kjo. Kanë humbur jetën nga një hemoragji e madhe, që nuk u identifikua në kohë”, tha Beqaj.
Familjarët e së ndjerës, akuzojnë që prej fillimit bluzat e bardha por Ministri i hodhi poshtë deklaratat e vëllait të Aidës. Fatjon Omuri që tha se e motra është sorollatur nga mjekët, gjë që solli dhe avancimin e komplikacioneve të saja.
“E ndjera është transportuar me ambulancë në të tre spitalet dhe në vlerësimin tonë nuk është sorollatje. Mjekët kanë mënjanuar një aktivitet lindjeje dhe shenjat ishin të tilla që dyshimi i parë çonte tek parainfarkti. Më pas, nga QSUT është përjashtuar edhe kjo dhe është dyshuar për probleme me mushkërinë. Tek Sanatoriumi kanë dyshuar për hemoragji të brendshme dhe duke qenë se ajo ishte në muajin e 9, e nisën për në maternitet”, deklaroi ministri.
Ministri tha se rasti në fjalë është shumë i rrallë dhe i vështirë për t’u diagnostikuar saktë edhe në sistemet shëndetësore më të përparuara. “Kemi mungesë specialistësh sepse në mandatin e parë, për 4 vjet nuk u hapën specializimet e mjekësisë. Qeveria e mëparshme kështu e mendoi, ndaj problemi i burimeve njerëzore ëshë një nga problemet më të mprehta që kemi sot”, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

