Veliaj dhe Ahmetaj inspektojnë punimet në lagjen “5 Maji”: Kemi ecur me ritme të shpejta

Kryetari i Bashkisë së Tiranës së bashku me ministrin për rindërtim Arben Ahmetaj inspektuan sot ecurinë e punimeve në lagjen e re “5 Maji” në Tiranë. Kryebashkiaku Veliaj tha se është i lumtur që punimet kanë ecur me ritme kaq të shpejta dhe lagjja e re “5 Maji” po merr formë, duke i dhënë mundësi qytetarëve, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti, që të zhvendosen aty sa më parë.

“Më vjen mirë që shoh që tek një kantier publik është punuar me më shumë shpejtësi dhe cilësi se në një kantier privat. Kjo është dita me natën. Po punohet me shumë cilësi dhe shumë shpejt. Fakti që sot shikojmë se si po konturohet kjo lagje re vërtet Tirana policentrike po bëhet realitet. Do jetë një qendër dhe Beni e tha do vijnë edhe institucione dhe kur vijnë institucione lagja nuk është më konvikt është 24/7. Pra edhe shkohet në punë, edhe bëhet tregti, edhe jetohet, edhe shkohet në shkollë, edhe kalohet kohë cilësore rekreative”, nënvizoi Veliaj.

Ai ritheksoi se ndërkohë që vijon ndërtimi i lagjeve të reja, banorët do vazhdojnë të marrin bonusin e qirasë, deri në momentin e zhvendosjes.

“Është një surprizë e jashtëzakonshme që jo vetëm te ky kantier, por tek disa kantier rresht këtu kemi dalë jo vetëm mbi sipërfaqen, por ka mbaruar karabinaja, kanë filluar tani edhe detajimet e suvasë dhe veshjes me kapotë. Tregon progres për ato familje që janë akoma me qira. Por siç e tha edhe ministri, ne i japim garanci çdo familjeje që ne do vazhdojmë me qira deri ditën që do marrin çelësin e shtëpisë së re dhe të hyjnë me këmbën e djathtë e të mbarë”, përfundoi kryebashkiaku.

Ndërsa ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj tha se me këto ritme lagjja e re “5 Maji” pritet të përfundojë dhe të jetë gati në muajt maj-qershor të vitit 2022.

“Besoj që në maj, qershor të vitit tjetër, lagjja e re do ketë përfunduar.Sot praktikisht kantieret janë të materializuara në fazë të avancuar, dhe nuk është më as shpresë, as besim, por është thjesht një numërim mbrapsht për qytetarët, për t’i thënë që do hyjnë në këto kantiere. Kjo po ndodh në Durrës, por edhe në Laç. Pra procesi i rindërtimit është kthyer në një proces jo vetëm social, jo vetëm ekonomik, por edhe simbol sesi menaxhohet një proces kompleks, me shpejtësi, transparencë dhe vëmendje ndaj qytetarëve”, u shpreh Ahmetaj.

Lagjja e re është projektuar nga arkitekti i famshëm italian Stefano Boeri, e cila po ndërtohet nga themelet për 11 mijë banorë, do të kthehet në një qendër të re policentrike të Tiranës, me një qasje të re të zhvillimit urban, ekonomik e social, me infrastrukturë moderne dhe akses të garantuar në shërbime cilësore publike e private, nga shkollat e kopshtet tek njësitë tregtare, me parqe e mjedise sportive, si edhe institucione shtetërore.

SHKARKO APP