Velipojë/ Dy pushues rrezikuan mbytjen, ndërhyn Policia Kufitare dhe i shpëton
Dy pushues kanë rrezikuar të mbyteshin në det në plazhin e Velipojës, por ndërhyrja në kohë e Policisë Kufitare ka bërë të mundur shpëtimin e tyre.
Ngjarja u konstatua gjatë monitorimit të vijës bregdetare nga shërbimet e DVKM Shkodër, të cilat përdorin dronë dhe mjete lundruese për të garantuar sigurinë e pushuesve gjatë sezonit turistik.
Efektivët vunë re dy persona që ndodheshin në vështirësi në det dhe ndërhynë menjëherë me mjete lundruese Jet Ski. Falë reagimit të shpejtë, të dy pushuesit u nxorën në breg dhe rezultuan jashtë rrezikut.
Personat e shpëtuar janë një 67-vjeçar, banues në Burrel, dhe një 41-vjeçar, banues në Velipojë.
Policia Kufitare vijon monitorimin e vazhdueshëm të zonave bregdetare me qëllim parandalimin e incidenteve dhe garantimin e sigurisë së pushuesve. Strukturat policore deklarojnë se janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo rast emergjence dhe për t’u ardhur në ndihmë personave që mund të rrezikojnë jetën në det.
Autoritetet u bëjnë thirrje pushuesve të tregojnë kujdes gjatë qëndrimit dhe lëvizjes në det, veçanërisht në rastet kur kushtet e motit apo të detit paraqiten të pafavorshme.
KOHA JONË SONDAZH

