Vendimi, Gjykata Tiranës çon në psiqiatri autorin e vrasjes në azil
Vrasja e të moshuarit në azil, historiani Zyhdi Shehu do të shtrohet në spital psikiatrik! Gjykata liron nga qelia dy infermieret e akuzuara për fshehje të krimit!
Gjykata Tiranës ka vendosur shtrimin e detyrueshëm në spital psikiatrik për historianin, Zyhdi Shehu, i cili goditi për vdekje me bastun shokun e dhomës, Virxhil Vesho, në orët e para të mëngjesit të 8 Gushtit.
Ndërkohë togat e zeza kanë liruar nga qelia dy infermieret, Nazime Mulla dhe Glesantina Saraçi, duke caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Ato akuzohen se tentuan të fshihnin krimin e ndodhur në azilin e të moshuarve në “Qytetin Studenti”.
Autori i ngjarjes dhe viktima raportohet se të dy vuanin nga skleroza. 78-vjeçari Zyhdi Shehu mësohet se ka ndryshuar disa herë version mbi aktin e tij, ku goditi disa herë me bastunin e hekurit shokun me të cilin ndante dhomën.
Ndërkohë infermieret e turnin Nazime Mulla dhe Glesantina Saraçi u akuzuan se tentuan të fshihnin vrasjen e 82-vjeçarit Virxhil Vesho nga shoku i tij i dhomës, historiani Zyhdi Shehu.
Ato janë shprehur se nuk menduan se kishin të bënin me një vrasje, por që 82-vjeçarit ishte rrëzuar nga mosha e thyer dhe kishte humbur jetën. Dy infermieret e turnit janë shprehur se kanë telefonuar agjencinë funerale dhe kur agjencia ka marrë trupin, e ka rikthyer sërish në azil pasi kanë vënë re se ka pasur dëmtime të shumta në trup.
“Në fillim nuk e menduam se kishim të bënim me vrasje dhe nuk e menduam dhe e dinim që duhet të lajmëronim policinë. Pasi e pamë, menduam që është rrëzuar dhe ka ndërruar jetë. Edhe për shkak të moshës së thyer nga rrëzimi aksidental, menduam që i ka ardhur vdekja. Në fillim kemi marrë në mëngjes agjencinë funerale në telefon dhe i kemi thënë për të marrë trupin. Më pas ata u rikthyen dhe na treguan se viktima kishte dëmtime të shumta. Më pas agjencia funerale ka lajmëruar pronarin e azilit dhe ky i fundit njoftoi policinë. Nuk ishte qëllimi ynë që të fshihnim ngjarjen”, thanë infermieret.
Sipas policisë që iu ka referua autopsisë së viktimës, mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 04.00 të mëngjesit të së enjtes, ku 78-vjeçari ka goditur shokun e dhomës me bastun hekuri duke i marrë jetën. Policia ka ngritur akuzën “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ndaj dy infermiereve.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, më datë 08.08.2024, ndodhur në një azil privat për të moshuarit, ku shtetasi Z. Sh., 78 vjeç, ka goditur me bastun shtetasin V. V., i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën, ju informojmë se: në vijim të veprimeve hetimore të thelluara të kryera u arrestuan shtetaset G. S., 26 vjeçe, dhe N. M., 31 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, me profesion infermiere në azilin ku akomodoheshin dy të moshuarit. Nga hetimi i kryer u siguruan prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se dy të arrestuarat në bashkëpunim me njëratjetrën kanë konsumuar veprën penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’, parashikuar nga neni 301/ 25 i Kodit Penal. Këto dy shtetase nuk kanë njoftuar organet kompetente për ngjarjen e ndodhur, si dhe kanë kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, – saktësoi policia dje.