Vendimi i përbashkët Shqipëri-Kosovë, Manastirliu-Nagavci firmosin tekstin e unifikuar të gjuhës shqipe për diasporën
Është nënshkruar sot mes Ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, Arbërie Nagavci, vendimi i përbashkët për unifikimin e teksteve të mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë.
“Sot ne kemi pasur një kurorëzim të një pune të gjatë nga ekspertë dhe studiues të dy vendeve, të Shqipërisë dhe Kosovës në lidhje me tekstin e përbashkët “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” për nivelin II, për grupmoshat e klasës së 4-6, i cili me vitin e ri shkollor në 2024- 2025 do të jetë në duar të fëmijëve, që janë në vende të ndryshme në mërgatë. Ne gjithashtu nisim konkursin për tekstin e nivelit të III, një punë që duam ta finalizojmë gjithashtu brenda këtij viti, duke përmbyllur kështu të gjitha ciklet e teksteve të përbashkëta”, tha ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Në vitin që Shqipëria e ka shpallur si Vitin e Gjuhës Shqipe, bashkëpunimi mes dy vendeve merr një rëndësi edhe më të veçantë. Aktivitetet e përbashkëta të zhvilluara, që përfshijnë seminare, konferenca dhe publikime të përbashkëta, dëshmojnë për konkretizimin e këtij bashkëpunimi.
Risia është organizimi për herë të parë i Olimpiadës së Gjuhës Shqipe mes Shqipërisë dhe Kosovës, e cila synon të promovojë dhe të rrisë përdorimin e gjuhës shqipe dhe të forcojë lidhjet kulturore mes dy vendeve, shënon një hap të rëndësishëm përpara në bashkëpunimin arsimor dhe kulturor rajonal.
Ministret e Arsimit të të dy vendeve, theksuan gjithashtu rëndësinë e aktiviteteve të përbashkëta në diasporë dhe shfrytëzimin e potencialit të mësuesve dhe akademikëve në mërgatë. Kjo do të ndihmojë në përforcimin e identitetit kulturor dhe gjuhësor të diasporës shqiptare, si dhe në promovimin e vlerave kombëtare dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.