VIDEO/ Finalja e konkursit të Gjuhës Shqipe, Manastirliu: Në garë 900 shkolla dhe 11 mijë nxënës

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha sot në finalen e konkursit të Gjuhës Shqipe për shkollat 9-vjeçare, se gjuha shqipe është ajo që na bashkon, është identiteti ynë kombëtar, një thesar i paçmuar për të cilën duhet të kontribuojmë akoma më shumë.  Në finalen e konkursit marrin pjesë shkolla “Jeronim De Rada” në Tiranë dhe “Rilindja” në Kavajë.

“Ky aktivitet ka pasur mbështetje të madhe edhe donatorët si UNICEF, Save the Children, Këshillin e Evropës dhe Këshillin britanik. Është një iniciativë që do duam ta zhvillojmë vit pas viti që të bëjmë të mundur që gjuha që është identiteti ynë kombëtar dhe na lidh të gjithëve të çohet në ato maja të larta që i takon të jetë.

Ne kemi marrë angazhimin që në vitin e gjuhës shqipe 2024 që ne e kemi shpallur si një vit me plot aktivitete, të cilat lidhen me mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e gjuhës tonë të bukur shqipe të ishte edhe ky konkurs kombëtar që ka angazhuar më shumë se 900 shkolla dhe 11 mijë nxënës.

Ka qenë një motor i madh gëzimi, shprese, feste dhe ndaj këtë ditë do e konsideroja një festë të madhe për triumfin e gjuhës shqipe. Juria e përbërë nga Linda Mëniku, pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës; Aleksandër Çipa, gazetar dhe themelues i Unionit të Gazetarëve; dhe Oriana Osmani, mësuese e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë i ka dhënë një vlerë të shtuar këtij konkursi dhe për të dhënë mendime si ta përmirësojmë në të ardhmen këtë konkurs për të përfshirë më shumë nxënës e klasa”, tha Manastirliu.

SHKARKO APP