VIDEO-FOTO/ Pas zgjedhjeve, nisin fluturimet antikanabis në gjithë vendin. Ja ku u zbuluan rrënjët e para
Me përfundimin e zgjedhjeve, policia i është kthyer kontrolleve antikanabis në vend. Fluturime me helikopter dhe kontrolle në terren kanë nisur që nga dita e djeshme.
Burime zyrtare thanë se ka nisur operacioni për rikontrollin e territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të kanabisit si dhe të magazinimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Operacioni do të bëhet nga ajri, deti e toka ka nisur që prej ditës së djeshme. Në operacion forcat Renea, FNSH, Policitë Vendore, Policia Kufitare e Delta Forcë.
Operacioni drejtohet dhe monitorohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako. Forcat Renea kanë asgjësuar në një terren me rrezikshmëri të lartë në Dukagjin, 920 bimë kanabis sativa.
Bimët u evidentuan nga patrullimi nga ajri i Policisë së Shkodrës. Bimët të kultivuara në Luginën e Qershisë në Shosh -Dukagjin.
Me ndihmën e helikopterit u bë e mundur tërheqja e forcave Renea, pas asgjësimit të bimëve narkotike.
Operacioni masiv do vijojë deri në rikontrollin e plotë të territorit të vendit.









