VIDEO/ Prangoset tre krutanët që furnizonin Tiranën me drogë. Emrat dhe detajet e operacionit
Tre persona janë vënë në pranga e janë kapur 50 kilogramë drogë. Ky është rezultati i operacionit të koduar ‘Kalaja’, ku janë arrestuar 3 krutanë.
Burime nga policia thanë se në pranga janë vendosur Blerim Murati, 31 vjeç, Dritan Murati, 29 vjeç dhe Bashkim Mema, 41 vjeç, të tyre banues në Krujë.
Për këta persona është arritur të dokumentohet veprimtaria kriminale e shpërndarjes së lëndëve narkotike në zona të ndryshme të Tiranës.
Në rrugën e vjetër Vorë-Rinas policia ka ndjekur automjetin Mercedes Benz, me drejtues Blerim Muratin dhe pasagjer Bashkim Memën dhe ku më pas është afruar edhe Dritan Murati, i cili ishte në drejtim të një automjeti tip Mercedes Benz.
Pasi kanë ndaluar ata kanë shkëmbyer automjetet me njeri- tjetrin, ku në ato momente është bërë edhe ndërhyrja nga shërbimet e policisë.
Pas kontrollit të ushtruar në automjetin që mori në drejtim Blerim Murati, u gjetën 6 thasë të mbushur me lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
– 50 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
– 2 automjete Mercedes Benz.
– 3 aparate celularë të markave të ndryshme.
Dosja i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim”.

