Vijojnë kontrollet intensive në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” në Sarandë

Kapet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë një 44-vjeçar i shpallur në kërkim kombëtar, i akuzuar për aktivitet kriminal të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat i kontrolleve, u bë e mundur kapja e shtetasit E. R., 44 vjeç, banues në Gjirokastër.
44-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Ndihma për kalimin e paligjshëm të kufirit”.
Ky shtetas dyshohet se në vitin 2022, në afërsi të fshatit Luzat, Tepelenë, pasi është konstatuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, ka braktisur automjetin e tij tip “Benz”, me të cilin transportonte kundrejt pagesës prej 250 euro për person, nga Saranda drejt Malit të Zi, 7 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Në vijim të veprimeve shtetasi E. R. iu dorëzua shërbimeve të DVP Gjirokastër, ku nga ana e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve u bë ndalimi i tij dhe referimi i materialeve për veprime të mëtejshme në Prokurori.
Megaoperacioni “Sundimi i ligjit” vazhdon.

SHKARKO APP