VKM, dëmet në orenditë shtëpiake 100%. Premçi: Vlerësimi fillon që nesër

 

Shemsi Premçi deklaroi për mediat se gjendja e jashtëzakonshme nuk shpallet nën arsyen se shteti me kapacitetet e veta përballoi situatën e jashtëzakonshme.

Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave do të paguhet nga qeveria 100 përqind dëmi në orendi e paisje për të gjithë familjarët. Ndërkohë që për shtëpitë e dëmtuara do të vlerësohen ato pjesë që janë prishur.Shemsi Premçi, drejtor i emergjencës civile, deri në orën 19.00 u gjend në zonat e përmbytura. Po shpërndaheshin, ndihma, më së shumti çadra që banorët e zonës së Fierit të vendosnin bagëtitë.

“Mua nuk më japin çadër, i thotë një banor. Unë kam votuar PD”.

“Ty s’të japin çadër? Do të marrësh katër çadra, hajde merri. Rregulloji në to gjithë bagëtitë. Thirri edhe atij shokut tënd të vijë t’i marri. Veçse, nesër e pasnesër jemi këtu. Mirë është t’i përdorni për këtë qëllim që po jua japim, se mos i përdorni për plazh” iu kthye Premçi një banori të Darezezit. Qytetarët qeshin ndërsa marrin ndihmën në çadra, më së shumti për gjënë e gjallë.

Rrugës me shpejtësi në Tiranë, për të kapur emisionet e mbrëmjes e për të sqaruar situatën Premçi thotë se duke filluar që nga dita e nesërme, pra të premten, të gjitha njësitë vendore, do të shkojnë derë më derë për të bërë vlerësimin e dëmeve, në orendi shtëpiash, e bagëti. Të gjitha këto do të kordinohen në Drejtorinë e Emergjencave Civile, e prej andej, do të nisen drejt e në Këshillin e Ministrave. Qeveria më pas do të miratojë fondin që do të jepet për banorët, sipas grafikëve të përcaktuar.

Por e gjithë kjo procedurë, do të ndodhë vetëm kur të vlerësohet se situata me rreshjet e përmbytjet ka përfunduar. Deri atëherë, të gjithë janë me sytë nga qielli.

Kryeministri ka dhene urdher te prere se duhen shpetuar se pari njerezit por krahas kesaj edhe evidentimi i çdo demi te behet ne kohe rekord.

SHKARKO APP