Vlorë/ Bien rastet e zjarreve, shtohen masat parandaluese për ditët e nxehta

Valët e të nxehtit që pritet të prekin vendin gjatë ditëve në vijim kanë bërë që strukturat e Emergjencave Civile në qarkun e Vlorës të shtojnë masat parandaluese ndaj zjarreve. Qarku bregdetar vijon të konsiderohet një nga zonat më të rrezikuara për shkak të terrenit të vështirë dhe sipërfaqeve të mëdha me pyje.

Sipas parashikimeve të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, temperaturat pritet të vijojnë të rriten deri më 4 gusht, duke shtuar rrezikun për përhapjen e vatrave të zjarrit.

Shefi i Emergjencave Civile pranë Prefekturës së Vlorës, Robert Skëndaj, bën me dije se janë intensifikuar komunikimet me bashkitë, strukturat e mbrojtjes civile dhe repartet e zjarrfikësve, me qëllim që mjetet, forcat dhe kapacitetet operacionale të jenë në gatishmëri të plotë. Në këtë proces janë përfshirë edhe strukturat e pyjeve dhe njësitë mbështetëse të bashkive.

Swiss Digital Desktop Reklama

Gjatë këtij sezoni janë zhvilluar edhe fushata ndërgjegjësimi në zonat më të ekspozuara ndaj zjarreve, si Selenica, Delvina, Finiqi, Konispoli dhe zonat malore të Himarës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Autoritetet raportojnë se numri i zjarreve këtë vit është ulur me rreth 50-60% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rastet e evidentuara janë përballuar kryesisht nga strukturat vendore, ndërsa vetëm në dy raste është kërkuar ndërhyrje nga ajri, përkatësisht në Shallegar të Vlorës dhe në Gjirin e Hartës në Ksamil.

Forcat e Armatosura janë angazhuar vetëm në një operacion, atë për shuarjen e zjarrit në Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Pavarësisht përmirësimit të situatës, autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, pasi temperaturat e larta dhe era mund të favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?