Vlorë, vidhnin vaj transformatori, në pranga 2 persona
Policia ka arrestuar në flagrancë dy shtetas me precedent penalë të mëparshëm, për vjedhje të kryera në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Në pranga kanë rënë shtetasit Lulzim Kalaja, 39 vjeç, banues në Vlorë, i arrestuar më parë 2 herë për “Vjedhje” dhe Klodjan Yzi, 33 vjeç banues në Berat, i arrestuar më parë 5 herë për “Vjedhje”.
Policia ka bërë arrestimin e këtyre dy shtetasve për shkak se më datë 03.01.2017, janë kapur në flagrancë në një pallat në lagjen “Pavarësia”, ku në bashkëpunim me njëri-tjetrin u kapën duke vjedhur vajin e transformatorit të energjisë elektrike, në kabinën e këtij pallati. Policia ka sekuestruar materiale të ndryshme plastike (bidonë, kova) të mbushura me vaj transformatori, si dhe ka bllokuar një automjet Volskwagen Passat, me të cilin dyshohet se transportohej sasia e vajit të vjedhur.
Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se këta shtetas kanë vjedhur vaj transformatori edhe në lagjen “24 Maji”, ngjarje e ndodhur më datë 15.12.2016. Gjithashtu, dyshohet se këta shtetas janë autorë të dyshuar të disa vjedhjeve të tjera (vjedhje-vaji) të kryera në lagjet: “1 Maji”, “10 Korriku”, “24 Maji”, për të cilat Policia po punon për dokumentimin e plotë ligjor të tyre.

