VOA: Autori i atentatit ndaj ish Presidentit Trump mbetet një enigmë për autoritetet
-Zëri i Amerikës-
Disa ditë pas përpjekjes për vrasjen e ish Presidentit Donald Trump autori i atentatit, Thomas Mathew Crooks mbetet enigmë për autoritetet që po hetojnë çështjen. Ata që e kanë njohur njëzet vjeçarin e përshkruajnë atë si një individ inteligjent që nuk kishte shumë miq. Atij i janë gjetur shumë pak publikime në rrjete sociale dhe autoritetet që po hetojnë rastin nuk kanë arritur të kuptojnë qartë as bindjet e tij politike, duke e vështirësuar që të kuptohet edhe motivi për atentatin.
FBI arriti të analizojë telefonin celular dhe kompjuterin e autorit. Autoritetet tanimë e kanë bastisur makinën dhe shtëpinë e tij dhe kanë intervistuar mbi 100 njerëz megjithatë arsyeja pse ai vendosi të sulmojë ish Presidentin gjatë një tubimi zgjedhor të shtunën mbetet një engimë e pazgjidhur deri më tani.
“Ai ulej vetëm, nuk fliste me njeri, nuk bënte asnjë përpjekje as që të fillonte një bisedë”, tha 17 vjeçari Liam Campbell duke i bërë jehonë asaj që e kanë thënë edhe shokët e klasës të Thomas Mathew Crooks.
“Ai ishte një djalë i çuditshëm, por nuk kishte gjë në lidhje me të që dukej e rrezikshme”, shtoi më tej Laim Campbell.
Deri më tani, nuk është thënë nëse autori i sulmit të ketë lënë ndonjë mesazh me shkrim që do të sqaronte motivin e atentatit.
Një zyrtar i zbatimit të ligjit që foli me agjencinë e lajmeve Associated Press në kushte anonimiteti tha se ajo që e kanë gjetur në telefonin e Crooks-it nuk ka zbuluar ndonjë gjë me rëndësi për hetimin e as nëse autori e organizoi sulmin i vetëm apo me të tjerë.
Bindjet politike të Crooks-it gjithashtu janë të mjegullta. Ai ishte i regjistruar si votues republikan në Pensilvani, por raportet financiare të fushatës gjithashtu tregojnë se ai kishte bërë një pagesë prej 15 dollarësh për një komitet të politikave të majta më 20 janar të vitit 2021, ditën kur zoti Joe Biden bëri betimin si President.
Thomas Mathew Crooks është përshkruar nga shokët e klasës në shkollën e mesme Bethel Park si i zgjuar, por vetmitar. Ai shpesh mbante kufje dhe preferonte të ulej vetëm gjatë pushimit të drekës duke shikuar telefonin.
“Atë e ngacmonin pothuajse çdo ditë”, thotë shoku i tij i klasës Jason Kohler.
Pasi kishte përfunduar shkollën e mesme në vitin 2022, Crooks filloi studimet në universitetin publik në qarkun Allegheny, duke marrë diplomën për shkenca inxhinierike në muajin maj.
Një studim i kryer në vitin 1997 nga Shërbimi Sekret që analizonte se çfarë i nxiste personat që kishin kryer atentate që nga viti 1949, nuk ka gjetur një motiv kryesor pse një person bën përpjekje t’ia marrë jetën një personi publik. Megjithatë, dy të tretat e autorëve janë përshkruar si persona të vetmuar me një jetë të varfër sociale.
Ashtu si Crooks, edhe shumica e autorëve të tjerë të atentateve nuk kanë patur dosje krimi në të kaluarën e tyre. Shumica e autorëve të sulmeve të tilla janë stërvitur në përdorimin e armëve, por nuk kanë patur stërvitje formale ushtarake, sipas studimit.
Crooks më parë kishte bërë përpjekje që të pranohej në një ekip të qitësve të shkollës, por anëtarësimi i tij ishte refuzuar pasi nuk ishte i saktë në shënjestër.
Ai megjithatë arriti të bëhej përmes familjes së tij anëtar i Klubit Sportiv të Clairtonit, një fushë qitjesh rreth 17 kilometra në lindje të Bethel Park-ut.
“Ne dimë shumë pak për të”, thotë Presidenti i këtij klubi Bill Sellito.
“Ajo që ndodhi të shtunën ishte e tmerrshme, kjo nuk është arsyeja pse ne ekzistojmë si klub”.
Klubi ka një poligon qitjeje me shënjestra deri në 170 metra larg. Crooks ishte rreth 135 metra larg kur qëlloi ndaj ish Presidentit Trump të shtunën me një pushkë automatike.
Një ditë para se të kryente sulmin Thomas Crooks e vizitoi klubin ku ishte anëtar dhe kishte bërë qitje, sipas të dhënave të zbulimit. Ditën kur ka kryer sulmin, ai kishte blerë 50 fishekë për pushkën e tij nga një dyqan lokal dhe më pas udhëtoi vetëm për në qytetin Batlër të Pensilvanisë ku zoti Trump mbante tubimin zgjedhor.
Dëshmitarët dhe zyrtarët e zbatimit të ligjit thonë se Crooks eci pranë tubimit zgjedhor për të paktën gjysëm ore para se të hipte mbi çatinë e një objekti afër vendit ku fliste zoti Trump.
Ndërsa ata që merrnin pjesë në tubim filluan të bërtasin për të tërhequr vëmendjen e policisë, Crooks arriti të kryejë sulmin. Një snajpër i shërbimit sekret qëlloi brenda 15 sekondash duke e vrarë Crooks me një goditje në kokë.
Një nga plumbat e goditi ish-Presidentin Trump në vesh dhe ai tha se lëvizja e kokës brenda pak sekondash i shpëtoi jetën nga një goditje e dytë që mund të kishte qenë fatale.
Një nga plumbat me të cilat u qëllua zoti Trump i mori jetën zjarrëfikësit 50 vjeçar Corey Comperatore, që kishte shkuar të dëgjonte fjalimin e ish Presidentit. Dy persona të tjerë kanë marrë lëndime serioze.
Pa të dhëna të qarta se çfarë e nxiti Crooks-in të kryente sulmin, shumë përfaqësues nga të dyja kampet politike janë munduar të ofrojnë sqarimet në kushtet e mungesës së një motivi të qartë, duke bërë vlerësime partiake, spekulime të pambështetura në fakte dhe teori konspiracioni.
Disa republikanë kanë fajësuar demokratët pasi ata e kanë përshkruar ish Presidentin si kërcënim për demokracinë. Demokratët nga ana tjetër kanë theksuar faktin që Crooks ishte i regjistruar si republikan dhe tek vetë retorika provokative e zotit Trump, përfshirë edhe mbrojtjen e atyre që sulmuan Kapitolin më 6 janar të vitit 2021.
Shtëpia e autorit të atenatit vazhdon të jenë e rrethuar nga shiritat e verdhë të policisë ndërsa oficerët e policisë patrullojnë që të mos lejojnë gazetarët të afrohen.
Melanie Maxwell, e cila jeton në të njejtën lagje është përkrahëse e ish Presidentit Trump.
Ashtu si të tjerët as ajo nuk e njihte mirë familjen Crooks mirë. Ajo thotë se ishte e tronditur nga sulmi dhe se dështimi i autoriteteve të sigurisë duhet të hetohet.
“Dora e Zotit e mbrojti Presidentin Trump”, tha ajo.