Von der Leyen: Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore, pa asnjë diskutim

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi të dielën se i kishte përcjellë Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se zgjidhja më e mirë për çështjen e Iranit mbetet diplomacia. Megjithatë, ajo nuk bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Në një bisedë telefonike me Netanyahun, Von der Leyen u shpreh: “Jam dakord që Irani nuk duhet të ketë një armë bërthamore, pa asnjë diskutim.”
Ajo ka kritikuar më parë veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës, por në deklaratën e saj theksoi se mospërputhjet e Iranit me kërkesat e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA) i japin Izraelit të drejtën për t’u mbrojtur.
“Irani është burimi kryesor i paqëndrueshmërisë në rajon,” shtoi Von der Leyen.
Aktualisht, ajo ndodhet në Kanada për të marrë pjesë në Samitin e G7-ës, ku pritet të diskutohet konflikti mes Izraelit dhe Iranit, së bashku me agresionin e vazhdueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Të njëjtat dronë dhe raketa balistike të dizajnuara dhe prodhuara nga Irani po godasin në mënyrë të pakontrolluar qytete në Ukrainë dhe në Izrael. Prandaj, këto kërcënime duhet të trajtohen së bashku,” deklaroi ajo.