Vrasja e Artan Cukut/ Avokati i Popullit: Agresorët të dalin sa më shpejt para drejtësisë
Avokati i Popullit, Igli Totozani ka reaguar në lidhje me vrasjen e ish-shefit të policisë së Vlorës, Artan Cuku mbrëmjen e djeshme në kryeqytet.
Totozani i shprehu ngushëllimet familjarëve të Cukut dhe u bëri thirrje organeve kompetente të zbardhin menjëherë ngjarjen e rëndë.
“I shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve të Artan Cukut. Ngjarja duhet të zbardhet sa më parë nga organet kompetente dhe agresorët duhet të dalin para drejtësisë,” tha Avokati i Popullit.
Homazhet në nder të ish-komisarit Cuku u zhvilluan ditën e sotme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Në homazhe mori pjesë Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. Po kështu në Drejtorinë e Policisë së Tiranës kanë shkuar për t’i dhënë lamtumirën e fundit, ish-zyrtarit të policisë edhe kreu i PD-së Lulzim Basha me deputetët Flamur Noka e Astrit Patozi si dhe kreun e departamentit të sigurisë në PD Enkelejd Alibeaj.
Ish-zyrtari i lartë i policisë, u ekzekutua dje në pritë pranë banesës së tij në Tiranë, te “Rruga e Kosovarëve”.

