Vr*sja e të riut në Korçë, arrestohet autori i dyshuar dhe gjendet arma e krimit
Policia ka bërë të ditur arrestimin e 20-vjeçarit K. S., i dyshuar si autor i vrasjes së 21-vjeçarit J. Z., ngjarje e ndodhur pasditen e djeshme në Korçë.
Sipas njoftimit zyrtar, krimi ndodhi rreth orës 16:30, në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, ku pas një konflikti për motive të dobëta mes disa personave, situata përfundoi në përdorimin e armës së zjarrit.
21-vjeçari u qëllua me një pushkë automatike, duke humbur jetën si pasojë e plagëve të marra. Pas ngjarjes, autori i dyshuar u largua nga vendi, ndërsa Policia nisi menjëherë kërkimet për identifikimin dhe kapjen e tij.
Pas disa orësh operacionesh intensive, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA, arritën të lokalizojnë dhe arrestojnë 20-vjeçarin në lagjen nr. 3, pranë banesës së tij.
Gjatë vijimit të veprimeve hetimore, Policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe armën e zjarrit, e cila dyshohet se është përdorur në vrasje. Arma është marrë në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e dinamikës së konfliktit dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
KOHA JONË SONDAZH

